Murati tregon kur do të paguhet paga e 13-të për vitin 2026

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar sot në seancën e Kuvendit të Kosovës se paga e 13-të për vitin 2026 është paraparë të paguhet në fillim të vitit të ardhshëm.
Murati ka bërë të ditur se paga e 13-të ishte përfshirë në Ligjin e Buxhetit për vitin 2026 dhe se ajo është paguar gjatë këtij viti.
Ai ka folur edhe për pritjet e qytetarëve lidhur me shtesat, duke theksuar se, në rast se miratohet rishikimi i buxhetit, pagesat do të realizohen në mënyrë retroaktive për periudhën përkatëse të punës.
“Paga e 13-të ka qenë e paraparë në Ligjin e Buxhetit të këtij viti. Ka qenë e paraparë që për vitin 2026 të paguhet në fillim të vitit. Paga e 13-të është e paraparë në buxhet dhe është paguar sivjet”, ka thënë Murati.
Ai ka shtuar se aktualisht bëhet fjalë për mbulimin e hendekut të krijuar nga alokimi i parakohshëm, ashtu siç parashihet në Ligjin e Buxhetit.
“Paga e 13-të për vitin e ardhshëm paguhet në fillim të vitit të ardhshëm. Sa u përket pritjeve të qytetarëve, patjetër që do të marrin shtesë. Nëse kalon ky rishikim i buxhetit, do të jetë përvoja retroaktive e punës që do t’u paguhet”, ka deklaruar Murati. /Telegrafi/






































