Vendosni fjalën kyçe....

Ulen çmimet e karburanteve, nafta zbret në 212 lekë dhe benzina në 181 lekë për litër



Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimeve të shitjes së karburanteve në vend. Sipas vendimit të publikuar më 29 tetor, nafta do të tregtohet me jo më shumë se 212 lekë për litër, ndërsa benzina me 181 lekë për litër.

Çmimi maksimal i shitjes me pakicë të naftës ulet me 1 lek, nga 213 lekë në 212 lekë për litër. Ndërkohë, benzina pëson një ulje prej 9 lekësh për litër, nga 190 lekë në 181 lekë.

Bordi ka përcaktuar gjithashtu çmimet maksimale të shitjes me shumicë. Nafta do të tregtohet me jo më shumë se 200 lekë për litër, ndërsa benzina me 169 lekë për litër.

Sipas njoftimit zyrtar, çmimet e reja hyjnë në fuqi më 29 tetor, në orën 15:00, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të shqyrtohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi u ka kujtuar operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë detyrimin për të zbatuar çmimet e përcaktuara, duke paralajmëruar pezullimin e aktivitetit në rast të konstatimit të shkeljeve.

Vendimi është marrë në kuadër të masave për kufizimin e përkohshëm të çmimeve të nënprodukteve të naftës dhe gazit, pas shpalljes së situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve.