Kreu i grupit parlamentar Taulant Balla tha për gazetarët se pavarësisht kaosit opozitar në seancë, agjenda europiane do vijojë, ashtu si sot me kalimin e seancës direkt në votim.
I pyetur për ardhjen në seancë të Belinda Ballukut që nuk paraqitet normalisht në seanca, por vetëm kur duhet për votim shumica absolute Balla tha: “Në mes të ditës në orën e përcaktuar gjithmonë aty. Më lejoni të them që sa i përket prezencës në zonën zgjedhore është ndër më të mirat e PS. Nesër ora 17:00 prania besnike në Fier aty do e shikosh”.
Sa i përket transferimit ende të pasqaruar të Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit drejt burgut të Fierit dhe përplasjes në mbledhjen e grupit të PS mes Bledi Çuçit dhe ministrit të Drejtësisë Toni Gogu, Balla tha se mbledhjet e grupit janë të mbyllura dhe jo për publikun.
“Në çdo mbledhje të grupit parlamentar çdo deputet kërkohet prej meje të ngrejë tematika të caktuara. Janë tematika në mbledhje të mbyllur grupi dhe nuk janë për publikun.
E para që lidhur me këtë çështje, jo për shokun tim Erion Veliaj apo për këdo tjetër e kam thënë edhe për persona të tjerë. Kushdo që më ka dërguar një ankesë lidhur me një çështje të trajtimit, nuk e fsheh. Edhe nga ish presidenti Ilir Meta në rrugë komunikimi kam marrë ankesa për trajtimin dhe padyshim që ia kam kaluar ministrave të drejtësisë. Rasti në fjalë nuk lidhet me ministrin Gogu.
Kam besim që edhe çështja në fjalë do verifikohet. Jo vetëm nga avokati i Popullit, ministri i Drejtësisë, Drejtori i Përgjithshëm. Madje sot në grupin parlamentar kam kërkuar edhe komisionin për mbikëqyrjen në një program pune që ka ky institucion. Që dje ka qenë në një nga institucionet e paraburgimit, siç është rasti i 313 dhe duhet që çështjet që lidhen me respektimin e të drejtave të trajtimit të paraburgosurve të trajtohet në kuadër të procesit që Shqipëria është në integrimin drejt Bashkimit Europian.”













