Avokatja e Albert Sylajt: U dorëzua pas thirrjes së nënës, pasi ishte në rrezik të vetëvritej

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti, ka vendosur më 28 tetor 2026 caktimin e paraburgimit për Albert Sylajn, i dyshuar për vrasjen e ish-kunatës së tij, Arlinda Zekaj, në Vitomiricë të Pejës.

Paraburgimi, sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, do të zgjasë deri më 27 nëntor 2026.

Të lidhura

None found

Gjatë seancës dëgjimore, prokurorja Sahide Gashi deklaroi se Policia Rajonale e Pejës më 27 tetor kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj Sylajt. Sipas saj, kallëzimit i kishin paraprirë raportet e hetuesve dhe, pas shqyrtimit të provave, kishin nisur hetimet zyrtare ndaj të dyshuarit.

Prokurorja tha se ekziston dyshimi i bazuar që Sylaj e ka vrarë Arlinda Zekajn në mënyrë mizore, si akt hakmarrjeje për ndalimin nga policia të vëllait të tij, Jeton Sylajt. Sipas vendimit, Gashi ka theksuar se ky dyshim mbështetet edhe në provat e mbledhura deri tani.

Prokuroria ka vlerësuar se lirimi i të pandehurit ose caktimi i një mase tjetër alternative do të krijonte rrezik arratisjeje dhe shmangieje nga procedura penale. Ky qëndrim është mbështetur në faktin se Sylaj ishte larguar pas vrasjes, si dhe në dënimin e mundshëm për veprën që dyshohet se ka kryer, i cili mund të arrijë deri në burgim të përjetshëm.

Prokurorja ka bërë të ditur gjithashtu se hetuesit ende nuk kanë marrë në pyetje dëshmitarët okularë të rastit. Në mesin e tyre janë nëna e të pandehurit, vajza dhe djali i tij, djali i viktimës, të gjithë minorë, si dhe bashkëshortja dhe vëllai i tij, Dritoni. Hetuesia pritet të dëgjojë edhe persona të tjerë që kanë dijeni për rrethanat e rastit, përfshirë familjarë e të afërm të viktimës dhe pjesëtarë të Policisë të angazhuar në rastet e ndërlidhura.

Në aktvendim thuhet se Sylaj ka pranuar edhe posedimin e një arme pa leje, e cila ende nuk është sekuestruar. Po ashtu, nga ekstrakti i dënimeve rezulton se ai është dënuar me katër aktgjykime të formës së prerë.

Mbrojtësja e caktuar sipas detyrës zyrtare, Katarina Voksani, ka deklaruar se, ndonëse klienti i saj ishte arratisur, ai ishte dorëzuar vullnetarisht në shtëpinë e tij në Deçan.

Sipas avokates, para dorëzimit, Sylaj kishte telefonuar nënën e tij për t’i kërkuar “hallallin e fundit”, pasi ndodhej në një gjendje ku mund të kryente vetëvrasje.

“…por se paraprakisht e ka thirrur nënën e tij në telefon duke i kërkuar hallallin e fundit sepse ka qenë në gjendje të bëjë vetëvrasje për një vepër të tillë të cilën e ka kryer, por që nëna si çdo nënë i ka dhënë ‘në qoftë se dëshiron edhe mua të më shohësh të vdekur, dhe pash gjinin që ta kam japur mos e kryej një akt të tillë por dorëzoju organeve të ligjit, të cilët do t’i marrin parasysh të gjitha rrethanat që kanë ndikuar për ndërmarrjen e një veprimi të tillë’”, citohet të ketë thënë Voksani.

Avokatja ka treguar se më pas, së bashku me familjarët, në shtëpinë e të pandehurit kishte shkuar njësi policore për ta arrestuar.

Voksani ka pretenduar se në shtëpi ndodhej edhe vëllai tjetër i Sylajt, i cili është në liri, dhe se policët e kishin sulmuar atë në mënyrë brutale, duke e ngatërruar me të dyshuarin.

“I njëjti pas një kohe ka dalur me duar të ngritura lartë dhe ka thënë se unë po vetëdorëzohem për hir të nënës time”, ka deklaruar Voksani.

Mbrojtësja ka kërkuar që ndaj Albert Sylajt të caktohet masa e dorëzanisë. Ajo ka argumentuar se nuk ka rrezik arratisjeje dhe se klienti i saj kishte bashkëpunuar me policinë gjatë arrestimit.

Sylaj e ka mbështetur deklarimin e avokates së tij dhe nuk ka bërë ndonjë shtesë tjetër.

Gjykata ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit është e bazuar. Në këtë përfundim ka ndikuar mënyra dhe rrethanat e kryerjes së veprës, rreziku i arratisjes, fakti se i pandehuri ishte larguar pas rastit, mundësia që të ndikojë te dëshmitarët ende të pa intervistuar dhe e kaluara e tij penale.

Sipas gjykatës, masat e tjera alternative, përfshirë dorëzaninë e propozuar nga mbrojtja, nuk do të garantonin praninë e të pandehurit gjatë procedurës penale.

Albert Sylaj dyshohet për veprën penale “Vrasja e rëndë”, e paraparë në nenin 173, paragrafin 1, pikat 1.3 dhe 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).


Shtuar më 29.10.2026 13:59

Quantcast