Seanca gjyqësore ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe Monika Kryemadhit në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) është shtyrë për më 5 nëntor, pasi avokatët e tyre nuk pranuan të merrnin përsipër përfaqësimin, në shenjë kundërshtimi ndaj rregullores së re të gjykatës.
Mbrojtësit u gjobitën me 30 mijë lekë të reja, ndërsa për seancën e ardhshme u caktuan edhe dy avokatë kryesisht, krahas avokatëve të zgjedhur prej të pandehurve.
Edhe pse avokatët ishin të pranishëm në sallë, ata argumentuan se nuk ishin njoftuar zyrtarisht për zbatimin e vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, që kishte vendosur sigurimin e padisë për bojkotin dhe rikthimin e shërbimit të avokatisë deri në vendimin përfundimtar.
Nga ana tjetër, GJKKO këmbënguli se vendimi administrativ ishte detyrues dhe se avokatët duhej të ushtronin detyrën. Sipas tyre, megjithatë, Dhoma e Avokatisë nuk kishte dhënë ende udhëzimet përkatëse dhe pritej një mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm të Avokatëve.
Gjatë seancës, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi mbështetën qëndrimin se gjykimi mund të vijonte edhe pa përfaqësimin aktiv të avokatëve, të cilët ndodheshin në sallë dhe mbanin shënime.
Meta iu referua praktikave të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke pretenduar se mund të mbrohej vetë. Prokurori i SPAK-ut, Arben Kraja, kundërshtoi këtë qëndrim, duke argumentuar se, për shkak të rëndësisë së veprave penale për të cilat akuzohen të pandehurit, gjykimi nuk duhej të vijonte pa mbrojtës. Ai kërkoi shtyrjen e seancës dhe caktimin e avokatëve kryesisht.
Meta reagoi ashpër ndaj prokurorit, duke akuzuar institucionet se po i vendosnin avokatët në një pozitë të vështirë për shkak të konfliktit mes Dhomës së Avokatisë dhe GJKKO-së. Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar çështja e të drejtave të tij dhe përmendi kallëzime të mëparshme që pretendon se nuk janë trajtuar siç duhet.
“Ata janë këtu, mbajnë shënime, mund të vijojë gjyqi se mbrohem vetë. GJEDNJ e parashikon”, deklaroi Meta, duke kundërshtuar shtyrjen e procesit. Ai ngriti edhe pretendime ndaj prokurorisë lidhur me çështje të tjera, përfshirë një kallëzim për atë që e cilësoi si rrëmbim të tij dhe një kallëzim të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Pas tërheqjes së gjykatës për konsultim, u vendos shtyrja e seancës. Gjatë kësaj kohe, Meta komentoi edhe transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në burgun e Fierit. Ish-presidenti pretendoi se Veliaj po mbahej në kushte të vështira dhe se i ishte hequr edhe ushqimi, duke e lidhur këtë me deklaratat që, sipas tij, kryebashkiaku kishte bërë kundër presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
“Avokat, gjeni njerëz, çojini bukë, se as bukë nuk i çojnë se shau Vuçiçin”, tha Meta nga kafazi i qelqtë.