Policia Kufitare e Sarandës ka finalizuar operacionin e koduar “Tranzit 2”, duke goditur një tjetër rast të dyshuar të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në pranga ka rënë një 35-vjeçar, banues në Itali, i cili u kap në flagrancë gjatë natës, në afërsi të fshatit Shkallë, teksa transportonte me një furgon 21 shtetas nga Iraku dhe Irani.
Sipas policisë, emigrantët dyshohet se kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri përmes kufirit tokësor me Greqinë, ndërsa destinacioni i tyre përfundimtar besohet të ishte Italia.
Nga hetimet paraprake dyshohet se për transportimin e secilit emigrant ishte parashikuar një pagesë prej 2 800 eurosh.
Në vijim të veprimeve procedurale, 21 shtetasit e huaj u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Ndërkohë, furgoni i përdorur për transport u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Sarandës për veprime të mëtejshme.

