Monika Kryemadhi ka reaguar pas shtyrjes së seancës gjyqësore ndaj saj dhe Ilir Metës në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), duke pretenduar se bojkoti i avokatëve po i cenon të drejtën për mbrojtje dhe po pengon vijimin normal të procesit gjyqësor.
Në një prononcim për mediat, Kryemadhi tha se në seancën e mëparshme ishte njoftuar se gjykimi mund të vijonte pa avokatë, pasi çështja ndodhej në fazën e parashtrimeve.
Sipas saj, megjithëse avokatët ishin të pranishëm në sallë, ata nuk po ushtronin funksionin e tyre për shkak të bojkotit të shpallur nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë kundër rregullores së re të GJKKO-së.
Kryemadhi vuri në dukje se ekziston një mosmarrëveshje mes gjykatës dhe avokatëve lidhur me zbatimin e vendimit gjyqësor që prek bojkotin. Ajo tha se vendimi i përmendur nga gjykata nuk u ishte bërë i njohur avokatëve dhe se kjo situatë po pengon zhvillimin e procesit.
“Mua më intereson që i gjithë ky proces më shpërdoron të drejtën e mbrojtjes. Pra, kjo do të thotë që më ke vendosur me ligj për të më mbrojtur një avokat, por ky avokat nuk vjen, ndërkohë që nuk më lejon as të mbrohem vetë”, deklaroi Kryemadhi.
Ajo argumentoi se shtyrjet e seancave për shkak të mungesës së mbrojtësve po ndikojnë jo vetëm në ecurinë e procesit, por edhe në jetën e saj të përditshme. Sipas Kryemadhit, kjo situatë po krijon pasiguri ligjore dhe tension në marrëdhëniet mes qytetarëve, avokatëve dhe gjykatës.
“Më pezullon dhe më pengon normalitetin e jetës sime apo të dikujt tjetër. Kjo krijon një lloj destabiliteti edhe ligjor, veçse emocional, në marrëdhëniet mes qytetarëve dhe avokatëve, qytetarëve dhe gjykatës”, u shpreh ajo.
Në vijim, Kryemadhi kritikoi reformën në drejtësi, duke pretenduar se në këtë rast të drejtat e qytetarëve nuk po mbrohen siç duhet. Ajo e cilësoi situatën si një çështje që kërkon durim, ndërsa përsëriti shqetësimin për mënyrën se si po zhvillohet procesi gjyqësor.
Seanca ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit është shtyrë për më 5 nëntor, pasi avokatët nuk pranuan të merrnin përsipër përfaqësimin në kushtet e bojkotit. Gjykata ka vendosur gjithashtu gjoba për avokatët dhe caktimin e dy mbrojtësve kryesisht për seancën e ardhshme.