Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se janë arrestuar dy persona nën dyshime për krime lufte.
Rasti ka të bëjë me Masakrën e Padalishtës, që ka ndodhur më 26 mars 1999 në Komunën e Istogut.
Autoritetet thanë se dy të dyshuarit u lokalizuan më 29 tetor dhe Z.B. u arrestua në fshatin Osjan, ndërkaq G.B. në Cerkolez të komunës së Istogut.
Hetimet për këtë masakër, sipas autoriteteve po zhvillohen për një kohë të gjatë, teksa nuk u dhanë detaje të tjera për rastin.
Në Masakrën e Pedalishtës ishin vrarë 19 anëtarë të familjes Imeraj. Mosha e viktimave ishte nga dy deri në 76 vjeç.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e pushtetit aktual në Serbi, pretendoi tre serbë janë arrestuar në Istog mëngjesin e së enjtes. Të pyetur për këtë pretendim të Listës Serbe, nga Prokuroria Speciale iu referuan komunikatës së lëshuar nga ta sa i përket numrit të të arrestuarve.
Përmes një reagimi, Lista Serbe tha se arrestimi i tyre “ka shqetësuar të gjithë popullin serb”, duke akuzuar autoritetet e Kosovës se “pa prova bindëse për fajësinë e tyre” po vazhdon arrestimet për krime lufte.
“U bëjmë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë të reagojnë dhe të përfshihen në këto procedura. Ata e kanë për detyrë të monitorojnë punën e Policisë së Kosovës dhe të Prokurorisë, si dhe të parandalojnë keqpërdorimin e institucioneve me qëllim të përndjekjes të serbëve mbi baza etnike”, u tha në reagimin e Listës Serbe.
Së voni, autoritetet kanë iniciuar një sërë rastesh që kanë të bëjnë për krime lufte kundër popullatës civile dhe kanë ngritur akuza ndaj të dyshuarve, përfshirë edhe akuza në mungesë.
Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, dhjetëra persona janë dënuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë.
Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) ishte përgjegjës për hetimet e krimeve të luftës.
Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dokumentet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore./ REL














