Kuvendi themelon komisionin hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt

Kuvendi i Kosovës ka themeluar me 90 vota për Komisionin Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, si dhe për trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.
Komisioni do t’i ketë 11 anëtarë dhe mandat deri në gjashtë muaj. Kryetar i tij është zgjedhur Burim Ramadani nga Aleanca, ndërsa zëvendëskryetar Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Nga LVV-ja, pjesë e komisionit do të jenë edhe Armend Baloku, Arijeta Rexhepi, Osman Musliu dhe Adelinë Tërshani. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të përfaqësohet nga Besa Kabashi-Ramaj dhe Eman Rrahmani, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nga Doarsa Kica-Xhelili. Në komision do të jenë edhe Jovana Radosavljeviqi dhe Emilija Rexhepi, si përfaqësuese të komuniteteve.
Para votimit për themelimin e komisionit, deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka kërkuar që në objektin e hetimit të përfshihen edhe Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucione të tjera relevante.
“Mendoj se dy-tri institucione duhet të shtohen. Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucione të tjera qeveritare që janë relevante në angazhimin tonë si komision”, ka deklaruar Ismaili.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se e mbështet themelimin e komisionit dhe se është e gatshme të bashkëpunojë me deputetët për të ndihmuar në zbardhjen e fakteve.
“Themelimi i këtij komisioni është një veprim i cili mbështetet fuqishëm nga ana ime si koordinatore dhe nga zyra që e udhëheq. Absolutisht nuk dua që të ketë dilemë asnjë deputet, jo vetëm për gatishmërinë, por këtë e kam theksuar edhe në fjalën time se do të jem plotësisht në disponimin tuaj për të dhënë përgjigjet e kërkuara dhe për të ndihmuar në zbardhjen e të gjitha fakteve që i posedoj”, ka thënë Gërvalla.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor nga ish-kunati i saj, vetëm tri ditë pasi u kishte dërguar letër institucioneve përgjegjëse, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik. /Telegrafi/






































