Rreth 1,000 kandidatë vijojnë garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit në Patrullën e Përgjithshme, pas fazës së parë të përzgjedhjes. Kandidatët po i nënshtrohen testimeve mjekësore, fizike dhe psikologjike në kuadër të procesit të rekrutimit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, vizitoi Akademinë e Sigurisë, ku zhvillohen testimet, dhe zhvilloi një bashkëbisedim me kandidatët që synojnë të veshin uniformën blu.
Gjatë takimit, Hita vlerësoi interesin për t’iu bashkuar Policisë së Shtetit, duke bërë të ditur se në fazën fillestare kishin aplikuar rreth 1,300 persona, ndërsa pas fazës së parë kanë mbetur rreth 1,000 kandidatë në garë. “Numri i lartë i aplikantëve, rreth 1,300 në fazën fillestare dhe tashmë rreth 1,000 pas fazës së parë, është një tregues pozitiv dhe motivim për të vijuar forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe ndërtimin e një policie gjithnjë e më profesionale”, u shpreh Hita.
Kreu i Policisë së Shtetit u uroi suksese kandidatëve në fazat e mëtejshme dhe i inkurajoi të angazhohen maksimalisht për t’u kualifikuar brenda kuotave të përcaktuara.
Ai garantoi gjithashtu se procesi i konkurrimit do të jetë transparent deri në përfundim dhe se të gjithë aplikantët do të kenë shanse të barabarta.
“Jepni maksimumin tuaj dhe shikojeni këtë mundësi si një privilegj për të dëshmuar aftësitë dhe vullnetin tuaj për t’u bërë pjesë e familjes sonë të madhe, Policisë së Shtetit, dhe për t’iu shërbyer qytetarëve me profesionalizëm e përgjegjshmëri”, deklaroi Hita. Procesi i përzgjedhjes vijon sipas procedurave të përcaktuara, ndërsa kandidatët që do të plotësojnë kriteret dhe do të kualifikohen brenda kuotave do të bëhen pjesë e Patrullës së Përgjithshme.
