Si asnjëherë tjetër, një valë e pazakontë kundërshtimesh nga të gjitha segmentet kryesore të sipërmarrjes ka shoqëruar propozimet e qeverisë për Paketën Fiskale 2027.
Brenda pak ditësh, tetë organizata përfaqësuese të biznesit kanë dalë publikisht kundër masave të reja, duke paralajmëruar largim të investitorëve, zhvendosje të aktiviteteve drejt vendeve të rajonit, mbyllje kompanish, humbje të vendeve të punës dhe rritje të çmimeve.
Veçanërisht domethënëse është përfshirja në kundërshtime e organizatave që përfaqësojnë investitorët e huaj. Dhoma Amerikane e Tregtisë, Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA) dhe Confindustria Albania, që përfaqëson industrialistët italianë, kanë paralajmëruar se rritja e taksave dhe ndryshimet e papritura të politikës fiskale mund të dekurajojnë investimet e reja dhe të cenojnë besimin e investitorëve ekzistues.
Dhoma Amerikane paralajmëron se ndryshimet mund t’i bëjnë investitorët e huaj të mos e konsiderojnë më Shqipërinë si destinacion për bizneset e tyre. Shoqata e Investitorëve të Huaj vëren se pasiguria fiskale ndikon drejtpërdrejt në vendimet afatgjata të investimeve, ndërsa industrialistët italianë kërkojnë tërheqjen e propozimeve që rrisin barrën tatimore.
Nga ana tjetër, shoqatat e prodhuesve dhe eksportuesve paralajmërojnë se industria po humbet tregje dhe vende pune, ndërkohë që qeveria propozon kosto shtesë. Turizmi ngre alarmin për humbjen e konkurrueshmërisë në rajon, ndërsa profesionistët e lirë kundërshtojnë zgjerimin e detyrimeve tatimore dhe administrative.
Në qendër të reagimeve kanë qenë propozimet për rritjen e tatimit mbi fitimin nga 15% në 17%, të tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, të TVSH-së standarde nga 20% në 21%, të TVSH-së për akomodimin nga 6% në 10%, si dhe ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë.
Pas reagimeve të forta, qeveria është tërhequr nga propozimi për rritjen e tatimit mbi fitimin, duke e lënë normën në 15%. Megjithatë, propozimet e tjera për rritjen e barrës fiskale kanë vijuar të kundërshtohen nga organizatat e biznesit. Një shqetësim i përbashkët është edhe mungesa e konsultimeve të mjaftueshme dhe e analizave të ndikimit ekonomik.
Dhoma Amerikane e Tregtisë: Rritja e taksave mund të dekurajojë investitorët e huaj
Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) ka paralajmëruar në deklaratën e saj zyrtare se Paketa Fiskale 2027 mund të sjellë rritje të konsiderueshme të barrës tatimore, duke ndryshuar kushtet mbi të cilat bizneset kanë planifikuar aktivitetin, financimin dhe investimet.
Sipas AmCham, rritja e tatimit mbi dividendin dhe e TVSH-së mund të pakësojë fondet për riinvestime, të ulë kthimin nga kapitali dhe të ndikojë negativisht në punësim dhe zgjerimin e kompanive. Organizata paralajmëron se masat mund të dobësojnë konkurrueshmërinë e Shqipërisë në rajon dhe të dekurajojnë investitorët e huaj. Dhoma Amerikane kërkon rishikimin e paketës, analiza të plota ekonomike dhe përparësi për luftën kundër informalitetit, në vend të rritjes së normave tatimore.
Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA): Ndryshimet e papritura ndikojnë në vendimet e investimeve
Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA) paralajmëron se ndryshimet e papritura të taksave dhe mungesa e parashikueshmërisë fiskale mund të ndikojnë në vendimet e investitorëve dhe të minojnë besimin në perspektivën ekonomike të Shqipërisë.
FIAA shpreh shqetësim për përshpejtimin e masave, pa konsultim të mjaftueshëm dhe pa kohën e nevojshme që kompanitë të përshtatin planet financiare. Shoqata kërkon rishqyrtimin e propozimeve, analiza të ndikimit dhe periudha tranzitore, duke theksuar se stabiliteti dhe transparenca e sistemit tatimor janë kushte thelbësore për investimet afatgjata.
Confindustria Albania: Rritja e taksave rrezikon investimet, kërkohet tërheqja e propozimeve
Shoqata e Industrialistëve Italianë në Shqipëri, Confindustria Albania, ka kërkuar tërheqjen e propozimeve për rritjen e tatimit mbi fitimin, dividendin dhe TVSH-në standarde.
Organizata ka kritikuar ndryshimin e papritur të politikës fiskale, duke kujtuar angazhimin e qeverisë për të mbajtur të pandryshuar tatimin mbi fitimin në 15%. Sipas saj, rritja e taksave mund të ndikojë në planet e investimeve, kontratat dhe punësimin, duke i orientuar sipërmarrjet drejt tregjeve më konkurruese. Confindustria kërkon gjithashtu transparencë për nevojën e rritjes së taksave, në kushtet kur buxheti rezulton me suficit dhe investimet publike nuk janë realizuar plotësisht.
Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA): Rritja e TVSH-së godet konkurrueshmërinë
Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) kundërshton rritjen e TVSH-së për akomodimin nga 6% në 10%, duke paralajmëruar se masa do të dëmtojë konkurrueshmërinë e turizmit shqiptar përballë vendeve të rajonit.
Sipas ATA-s, bizneset turistike po përballen tashmë me zhvlerësimin e euros, rritjen e pagave dhe shtrenjtimin e lëndëve të para. Rritja e TVSH-së do të shtonte presionin mbi kostot dhe çmimet, duke rrezikuar pozicionin konkurrues të Shqipërisë. Shoqata kërkon tërheqjen e propozimit dhe përqendrimin e masave te lufta kundër informalitetit në akomodim.
Shoqata Manifaktura Shqiptare: Kompanitë po mbyllen, paketa shpërfill nevojat e prodhimit
Shoqata Manifaktura Shqiptare ka kundërshtuar propozimet fiskale, duke paralajmëruar se industria prodhuese ndodhet në një situatë të rënduar, me rënie dyshifrore të eksporteve dhe mbyllje të kompanive.
Sipas shoqatës, qeveria nuk ka reflektuar kërkesat për uljen e kostove të punësimit, mbështetjen e fitimit të riinvestuar dhe nxitjen e automatizimit. Në vend të lehtësimeve për sektorin, paketa parashikon rritje të barrës fiskale, duke rrezikuar përkeqësimin e situatës së prodhuesve dhe humbjen e mëtejshme të konkurrueshmërisë.
ProEksport Albania: Industria po humbet vende pune, qeveria propozon taksa më të larta
Shoqata ProEksport Albania, që përfaqëson industrinë e veshjeve dhe këpucëve, paralajmëron se rritja e taksave do të rëndojë më tej një sektor që prej disa vitesh po përballet me tkurrje të prodhimit dhe humbje të vendeve të punës.
Sipas shoqatës, zhvlerësimi i euros dhe rritja e kostove kanë dobësuar konkurrueshmërinë e industrisë. ProEksport kritikon edhe faktin që lehtësimet e propozuara për tatimin mbi pagat nuk prekin punonjësit me paga minimale dhe të mesme të ulëta, ku përqendrohet pjesa më e madhe e punësimit. Shoqata kërkon konsultime dhe masa mbështetëse për prodhimin dhe eksportet.
Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë: Rrezikohen investimet dhe modernizimi i industrisë
Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë kundërshton ndryshimet fiskale pa konsultim paraprak, duke paralajmëruar rritje të kostove dhe pakësim të fondeve që kompanitë kanë në dispozicion për investime.
Sipas vlerësimeve paraprake të shoqatës për paketën fillestare, rritja e tatimit mbi fitimin dhe dividendin do t’u kushtonte sipërmarrjeve rreth 85 milionë euro në vit. Ulja e pragut të regjistrimit në TVSH do të përfshinte rreth 17,500 tatimpagues të rinj, duke shtuar kostot administrative dhe nevojat për likuiditet. Shoqata kërkon analiza të ndikimit dhe konsultim real përpara miratimit të ndryshimeve.
Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL): Rriten kostot, dobësohet konkurrueshmëria
Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) paralajmëron se Paketa Fiskale 2027 rrezikon të rrisë barrën tatimore dhe kostot administrative për bizneset, pa garantuar përmirësim të formalizimit.
Organizata kundërshton veçanërisht uljen e pragut të TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë, që do të shtonte detyrimet për bizneset e vogla. APL ngre shqetësimin se rritja e taksave mbi fitimin, dividendin dhe konsumin mund të dobësojë konkurrueshmërinë dhe të ndikojë në çmime. Shoqata kërkon që qeveria të analizojë eficiencën e shpenzimeve publike dhe mundësitë për zgjerimin e bazës tatimore përpara rritjes së normave./ Monitor














