Transferimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit ka shkaktuar debate në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Këshilltarë të opozitës dhe të mazhorancës kërkuan transparencë për arsyet e transferimit dhe për kushtet në të cilat raportohet se po mbahet Veliaj, ndërsa ngritën shqetësime për respektimin e të drejtave të tij.
Demokratja Ilda Zhulali pretendoi se transferimi i Veliajt është bërë për shkak të një postimi në Facebook, ku ai kishte përgëzuar popullin serb për rrëzimin nga pushteti të Aleksandër Vuçiçit.
Sipas saj, transferimi është kryer me urdhër të ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, pa dokumentacion zyrtar të bërë publik.
“Toni Gogu e transferoi në Fier pa asnjë dokument zyrtar dhe e ka çuar në izolim, për një status në Facebook. Këshilli sot duhet të kërkojë dorëheqjen e Ramës, hetim të dhunës policore dhe ndalim të gazit lotsjellës në zona të banuara të Tiranës”, deklaroi Zhulali.
Ajo kërkoi gjithashtu shtyrjen e miratimit të programit të kredive të buta, deri në sqarimin e përfituesve të mëparshëm, ndërsa u bëri thirrje këshilltarëve t’u kushtojnë vëmendje protestave të studentëve.
Edhe këshilltari Fabian Topollaj kërkoi që të bëhet transparente situata e kryebashkiakut.
Ai u shpreh se, pavarësisht qëndrimit të tij politik ndaj Veliajt, këshilltarët bashkiakë kanë detyrimin të kërkojnë informacion për një kryetar bashkie që, sipas tij, vijon të jetë në detyrë me vendim të Gjykatës Kushtetuese.
“Mund të jem i vetmi që nuk ia kam numrin Erion Veliajt, por jemi të detyruar të punojmë me të. Gjykata Kushtetuese e ka lënë atë në detyrë. Kemi detyrim të themi çfarë ndodh me të, që është i izoluar dhe nuk ushtron dot detyrën e tij”, u shpreh Topollaj.
Shqetësime ngriti edhe këshilltari socialist Halit Valteri, i cili kërkoi që çështja të diskutohet në Këshillin Bashkiak.
Ai iu referua raportimeve për kushte të rënda në paraburgimin e Fierit dhe shqetësimeve të ngritura pas vizitës së Avokatit të Popullit, duke kërkuar verifikimin e rrethanave të transferimit dhe të trajtimit të Veliajt.
“Veliaj është i paraburgosur, gëzon prezumimin e pafajësisë dhe të drejtat kushtetuese, të drejtat e njeriut. Asnjë masë paraburgimi nuk duhet të shërbejë si justifikim për trajtim çnjerëzor, kufizime të takimeve me familjarë, mbrojtës, apo marrje të kujdesit shëndetësor”, deklaroi Valteri.
Ai kërkoi nga Ministria e Drejtësisë dhe autoritetet e burgjeve të bëjnë të ditura arsyet e transferimit dhe të vlerësojnë nevojat shëndetësore të kryebashkiakut, duke përmendur se, sipas informacionit që disponon, Veliaj ka edhe këmbën në allçi.
Ndërsa këshilltari demokrat Dorian Teliti e cilësoi transferimin si një veprim të kryer pa transparencë, duke përdorur shprehjen “e rrëmbyen dhe e paketuan”. Ai tha se shqetësimi i tij nuk lidhet me fatin politik të Veliajt, por me mënyrën se si është kryer transferimi i një personi që, sipas tij, vijon të mbajë detyrën e kryebashkiakut.
“S’më intereson fati i kryebashkiakut si karrige, por si qytetar duhet të di kush rrëmbehet dhe si rrëmbehet. Por mbi të gjitha, kush janë ata që japin urdhra […] E marrin, e çojnë atje në Fier, e paketojnë. Të gjithë ne e kemi marrë vesh nga mediat”, u shpreh Teliti.
Debati u zhvillua gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, ku në rend dite ishte edhe miratimi i listës së 1,500 përfituesve të programit të subvencionimit të interesave të kredive për blerjen e apartamenteve në Tiranë.
Megjithatë, transferimi i Veliajt dhe raportimet për kushtet e tij të paraburgimit morën vëmendjen e këshilltarëve, të cilët kërkuan sqarime nga institucionet përgjegjëse. Pretendimet për arsyet e transferimit dhe kushtet e mbajtjes së tij kërkojnë verifikim nga autoritetet përkatëse.