Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar lidhur me transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit një ditë më parë, duke deklaruar se lëvizja është kryer në kuadër të masave për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.
Në reagimin zyrtar, Drejtoria e Burgjeve thekson se sa i përket urdhrit të transferimit, akti është miratuar sipas procedurave standarde dhe është pjesë e dokumenteve të klasifikuara si “sekret shtetëror”.
“Sa i përket urdhrit të transferimit, për të cilin spekulohet posaçërisht në media, ky akt është miratuar në përputhje me procedurat standarde dhe përfshihet në listën e dokumenteve të klasifikuara “sekret shtetëror”. Për rrjedhojë, administrimi, njohja dhe vënia në dispozicion e tij u nënshtrohen kushteve, kritereve dhe procedurave të parashikuara në ligjin nr. 10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”, dhe në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.”, njofton Drejtoria e Burgjeve.
Drejtoria thekson se pas mbërritjes në IEVP Fier, Veliaj është vendosur fillimisht në seksionin e pranimit dhe observimit, në përputhje me procedurat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Sipas Drejtorisë së Burgjeve, më 28 tetor Veliajt i janë zbatuar procedurat standarde të pranimit, ndërsa më 29 tetor, strukturat përgjegjëse të institucionit kanë zhvilluar një takim me të, gjatë të cilit janë dëgjuar pretendimet e tij dhe janë dhënë sqarime për të drejtat dhe detyrimet që lidhen me qëndrimin në institucion.
Drejtoria e Burgjeve thekson gjithashtu se për rastin e Veliajt është njoftuar edhe Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.












