Një vajzë e mitur me origjinë shqiptare, e cila banon në provincën e Raguzës, në Sicili, po hetohet nga autoritetet italiane për dyshime mbi radikalizimin xhihadist dhe përhapjen e propagandës terroriste në rrjetet sociale.
Sipas autoriteteve italiane, e mitura dyshohet se publikonte në platformën TikTok përmbajtje me karakter xhihadist, duke tërhequr vëmendjen e AISI-t, shërbimit italian të inteligjencës së brendshme. Pas sinjalizimit të autoriteteve gjyqësore, ndaj saj është vendosur një masë sigurie, duke e sistemuar në një qendër komunitare për shkak të moshës.
Masa është dhënë nga Prokuroria për të Miturit në Katania dhe është ekzekutuar nga Digos, njësia e policisë italiane që merret me hetimin e krimeve të sigurisë së shtetit, në Raguzë. E mitura dyshohet për vetëtrajnim me materiale terroriste dhe për apologji të terrorizmit, përfshirë atë me karakter ndërkombëtar.
Hetimet, të cilat përfshinë edhe verifikime në ambientet shkollore, ngritën dyshime se vajza kishte ndryshuar sjelljen dhe zakonet e saj, duke kufizuar shoqërimet kryesisht te shoqet e klasës që i përkisnin besimit islam.
Në maj të këtij viti, autoritetet i sekuestruan telefonin celular. Analizimi i pajisjes, sipas Policisë së Shtetit italiane, dyshohet se ndihmoi në rindërtimin e procesit të radikalizimit dhe në identifikimin e materialeve që ajo ndiqte apo shpërndante në internet.
Gjatë hetimeve, sipas të dhënave të bëra publike, u konstatua interesimi i saj për propagandën e organizatës terroriste ISIS, simbolet e ekstremit të djathtë, si dhe krijimi i përmbajtjeve dhe imazheve që dyshohet se ishin gjeneruar me anë të inteligjencës artificiale. Gjithashtu, u evidentua shpërndarja e materialeve që lidhen me radikalizmin e dhunshëm dhe antisemitizmin.
Hetuesit dyshohet se kanë zbuluar edhe kontakte me persona që pretendonin se ishin anëtarë të Shtetit Islamik, si dhe me përdorues të internetit që promovonin akte terroriste.
Në pajisjen e sekuestruar dhe në materialet e shqyrtuara u gjetën, sipas autoriteteve, video propagandistike që paraqisnin ekzekutime të të burgosurve, përmbajtje që justifikonin veprimtarinë e ISIS-it, si dhe udhëzues për vetëtrajnim dhe prodhimin e lëndëve plasëse artizanale.
Në materialet e shpërndara dyshohet se përfshiheshin edhe video të lidhura me sulmin e marsit të kaluar në shkollën “Leonardo da Vinci”, në Trescore Balneario, në provincën e Bergamos, ku një mësuese e gjuhës frënge u godit me thikë nga një nxënës 13-vjeçar.
Hetimet vijojnë për të sqaruar shkallën e përfshirjes së të miturës, burimin e materialeve të shpërndara dhe natyrën e kontakteve të saj në internet.













