Policia e Kosovës ka pezulluar 11 zyrtarë, përfshirë drejtues të lartë të strukturave policore në Pejë, pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës. Masat vijnë pas pezullimit të kryeprokurores së Pejës dhe një prokuroreje tjetër, ndërsa institucionet po hetojnë mënyrën e trajtimit të rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë.
Sipas njoftimit zyrtar, Policia mori vendimin pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), i cili ka nisur hetim paraprak për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet e mundshme të zyrtarëve gjatë trajtimit të rastit.
Mes të pezulluarve janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor të Pejës, si dhe drejtues të tjerë të strukturave policore. Vendimi përfshin edhe katër hetues policorë të këtij stacioni.
Policia e Kosovës ka sqaruar se masat synojnë të garantojnë zhvillimin e pavarur të hetimeve, të forcojnë llogaridhënien institucionale dhe të mundësojnë përcaktimin e përgjegjësive individuale.
Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka pezulluar nga detyra edhe kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore të Pejës, Lumturije Vuçetaj, si dhe prokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri.
Këto vendime vijnë në kuadër të shqyrtimit të veprimeve institucionale që lidhen me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar nëse strukturat përgjegjëse kanë respektuar procedurat ligjore dhe nëse gjatë trajtimit të rastit ka pasur shkelje apo mangësi. Pezullimet përbëjnë masa administrative gjatë procesit hetimor dhe nuk nënkuptojnë përcaktimin e fajësisë së zyrtarëve të përfshirë.













