Vendosni fjalën kyçe....

Nis ndërtimi i parkut të parë eolik në Shqipëri, investimi në Spille me kapacitet 72.6 MW


Shqipëria nis ndërtimin e parkut të parë eolik në Spille, në Bashkinë e Rrogozhinës, me një kapacitet të instaluar prej 72.6 megavatësh. Marrëveshja për projektin është nënshkruar me kompaninë austriake VERBUND, ndërsa prodhimi dhe operimi tregtar i parkut parashikohet të nisin në tremujorin e parë të vitit 2028.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se projekti ka marrë lejet e nevojshme dhe ka përmbushur kushtet për nisjen e menjëhershme të punimeve. Sipas tij, është nënshkruar edhe marrëveshja për shitblerjen e energjisë elektrike, duke e bërë projektin gati për zbatim.

“Me një kapacitet të instaluar prej 72.6 megavatësh, ky projekt përfaqëson një hap konkret drejt krijimit të një sektori të energjisë së erës në Shqipëri. I pozicionuar në Bashkinë e Rrogozhinës, pranë bregdetit të Adriatikut, parku do të kontribuojë në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese nga burimet e rinovueshme”, u shpreh Karakaçi.

Projekti në Spille është i pari nga tri projektet e përzgjedhura në ankandin e parë të energjisë së erës që ka përmbushur të gjitha kushtet për të nisur ndërtimin. Sipas ministrit, zhvillimi i këtij parku synon të diversifikojë burimet e prodhimit të energjisë elektrike dhe të ulë varësinë e sistemit energjetik nga kushtet klimatike dhe luhatjet e prodhimit hidroenergjetik.

Përveç ndikimit në sektorin energjetik, investimi pritet të sjellë përfitime edhe për ekonominë lokale të Rrogozhinës. Karakaçi tha se projekti do të përfshijë punime infrastrukturore, përfshirë rrugët e aksesit, si dhe krijimin e mundësive për përfshirjen e kompanive dhe nënkontraktorëve shqiptarë.

“Ne presim që, nëpërmjet këtij bashkëpunimi, të kemi sa më shumë nënkontraktorë shqiptarë që përfitojnë nga ky proces”, deklaroi ministri.

Kompania austriake VERBUND është e pranishme edhe në sektorin hidroenergjetik shqiptar, përmes projektit të hidrocentralit të Ashtës. Investimi i ri në Spille shënon zgjerimin e aktivitetit të saj drejt energjisë së erës në Shqipëri.

Gjatë deklaratës së tij, Karakaçi njoftoi gjithashtu se qeveria po përgatit ankande të tjera për zhvillimin e burimeve të rinovueshme. Sipas tij, në janar të vitit 2027 pritet të ketë një njoftim për kapacitete të reja të energjisë fotovoltaike dhe për sisteme baterish, të cilat synojnë të mbështesin prodhimin dhe menaxhimin e energjisë elektrike në vend.