Mazda Epic Drive zgjedh Shqipërinë: një eksperiencë në rrugë, në partneritet me National Geographic

Për herë të parë, Shqipëria bëhet pjesë e Mazda Epic Drive, eksperiencës ndërkombëtare që ndërthur drejtimin, eksplorimin dhe rrëfimin e destinacioneve. Këtë vit, Mazda CX-30 Experience Albania sjell në vend 116 gazetarë, influencerë dhe krijues përmbajtjeje nga 16 vende të Europës, ndërsa projekti realizohet në partneritet me National Geographic.
Ka udhëtime ku rëndësi ka destinacioni dhe ka të tjera ku vetë rruga bëhet pjesë e historisë. Mbi këtë filozofi është ndërtuar Mazda Epic Drive, një koncept që e zhvendos prezantimin tradicional të një automjeti në një eksperiencë të vërtetë drejtimi, duke e lidhur atë me peizazhin, kulturën dhe karakterin e vendit ku zhvillohet.
Ndër vite, Mazda ka zgjedhur destinacione të ndryshme për këto eksperienca. Në Marok, drejtimi në shkretëtirë dhe terrenet malore u përdor për të nxjerrë në pah performancën dhe lidhjen me natyrën; në Islandë, rrugët mes vullkaneve, akullnajave dhe brigjeve krijuan terrenin për të provuar automjetet në kushte të ndryshueshme; ndërsa në Turqi, eksperienca e drejtimit u ndërthur me historinë, kulturën vendase dhe mjeshtërinë artizanale.
Në vitin 2026, Mazda ka zgjedhur Shqipërinë.
Shqipëria, pjesë e historisë së Epic Drive
Në çdo Epic Drive, destinacioni nuk është thjesht sfondi ku fotografohet makina. Ai është pjesë e vetë eksperiencës.
Formati është konceptuar për t’u dhënë pjesëmarrësve mundësinë të dalin përtej itinerareve të zakonshme turistike, të eksplorojnë rajone të ndryshme, të takojnë aktorë vendas dhe të dokumentojnë peizazhin, kulturën dhe jetën lokale nga një këndvështrim autentik.
Kjo qasje e bën Shqipërinë një terren veçanërisht interesant për projektin. Brenda distancave relativisht të shkurtra, rruga ndryshon bashkë me peizazhin, duke kaluar nga lugina dhe kanione në pllaja e rrugë malore.
Mazda CX-30 Experience Albania zhvillohet gjatë dy javëve të tetorit dhe sjell në Shqipëri 116 të ftuar nga 16 vende europiane, mes tyre gazetarë të mediave të automobilizmit dhe lifestyle, influencerë dhe krijues përmbajtjeje.
Për mediat e automobilizmit, eksperienca përfshin një itinerar prej 536 kilometrash dhe 8–9 orësh drejtim, që kalon në zona si kanioni i Vjosës, pllajat në brendësi të vendit pranë kufirit grek dhe pjesën lindore të Alpeve Shqiptare.
Rrugët malore dhe terrenet e ndryshme nuk janë zgjedhur rastësisht. Ato krijojnë kushtet për ta përjetuar Mazda CX-30 në lëvizje dhe për të njohur aftësitë dinamike të modelit në një mjedis real drejtimi.
Mazda dhe National Geographic: Shqipëria përtej kufijve
Edicioni shqiptar i Epic Drive sjell edhe një element të rëndësishëm ndërkombëtar. Për Mazda CX-30 Experience Albania, Mazda ka krijuar një partneritet me National Geographic, një nga emrat më të njohur të medias ndërkombëtare.
Bashkëpunimi synon t’i japë projektit një shtrirje më të gjerë europiane dhe ta lidhë atë me një audiencë me interes të veçantë për udhëtimin, natyrën dhe eksplorimin.
Kështu, eksperienca shkon përtej prezantimit të një modeli automjeti. Udhëtimi me makinë, mjedisi natyror dhe kultura vendase bashkohen në të njëjtën narrativë, duke krijuar një mundësi për të prezantuar edhe potencialin turistik të Shqipërisë për një audiencë ndërkombëtare.
Përmes materialeve dhe historive që krijohen gjatë aktivitetit, rrugët shqiptare nuk janë vetëm vendi ku drejtohet Mazda CX-30. Ato bëhen pjesë e përmbajtjes dhe e historisë që pjesëmarrësit marrin me vete dhe e përcjellin në tregjet e tyre.
Mazda CX-30, përtej specifikimeve
Në qendër të gjithë eksperiencës është Mazda CX-30.
Por filozofia e Epic Drive nuk është ta prezantojë makinën përmes një liste karakteristikash teknike. Ideja është që ajo të njihet në mënyrën më të drejtpërdrejtë të mundshme: duke e drejtuar.
Rrugët malore, distancat e gjata dhe ndryshimet e terrenit krijojnë mundësinë që pjesëmarrësit të krijojnë një raport real me makinën dhe të kuptojnë se si sillet ajo në situata të ndryshme.
Është pikërisht kjo lidhje mes drejtuesit, makinës dhe rrugës që qëndron në themel të filozofisë së Mazda-s dhe që Epic Drive kërkon ta kthejë nga një koncept në një eksperiencë.
Në Shqipëri, kësaj eksperience i shtohet edhe zbulimi i një destinacioni që për shumë prej pjesëmarrësve europianë është ende për t’u eksploruar.
AutoMaster Albania, destinacioni zyrtar i Mazda-s në Shqipëri
Zgjedhja e Shqipërisë për Mazda Epic Drive nuk është një takim i izoluar i markës me vendin. Mazda ka një prani të konsoliduar në tregun shqiptar përmes AutoMaster Albania, përfaqësuesit zyrtar të Mazda-s në Shqipëri, duke krijuar kështu një vazhdimësi mes dimensionit ndërkombëtar të markës dhe eksperiencës që u ofrohet klientëve vendas.
Prej disa vitesh në tregun shqiptar, AutoMaster Albania sjell një gamë modelesh që ndërthurin dizajnin e rafinuar japonez, teknologjinë inovative, performancën dhe kënaqësinë në drejtim. Nga karakteri dinamik i Mazda CX-30, te eleganca dhe komoditeti i Mazda CX-60, hapësira dhe gjithanshmëria e Mazda CX-80, si dhe risitë e Mazda6e dhe Mazda CX-6e, gama ofron alternativa që u përshtaten stileve të ndryshme të jetesës dhe nevojave të drejtimit.
Mazda6e dhe Mazda CX-6e përfaqësojnë një hap të ri drejt mobilitetit elektrik, duke kombinuar teknologjinë moderne dhe efikasitetin energjetik me gjuhën e dizajnit që karakterizon markën. Të konceptuara për t’iu përgjigjur pritshmërive të konsumatorëve të sotëm, modelet elektrike ofrojnë një alternativë për ata që kërkojnë përdorim më efikas të energjisë dhe kosto potencialisht më të ulëta përdorimi, pa bërë kompromis me estetikën, komoditetin apo përvojën në drejtim.
Për ta bërë zgjedhjen sa më personale, klientët mund të eksplorojnë një gamë ngjyrash të karrocerisë dhe konfigurimesh të ndryshme, sipas modeleve dhe specifikimeve të disponueshme. Nga tonalitetet klasike dhe elegante, te ngjyrat më të theksuara që evidentojnë linjat e dizajnit, konfigurimi i automjetit mund të përshtatet me stilin dhe preferencat individuale të drejtuesit.
Përfaqësimi i markës, ndërkohë, nuk përfundon me shitjen e automjetit. AutoMaster Albania është edhe servisi zyrtar i Mazda-s në Shqipëri, duke ofruar shërbime të specializuara për mirëmbajtjen dhe kujdesin ndaj automjeteve, në përputhje me standardet e prodhuesit. Angazhimi ndaj klientit vijon kështu përgjatë gjithë ciklit të përdorimit të automjetit, përmes ekspertizës profesionale dhe kujdesit të dedikuar.
Në kuadër të Mazda Epic Drive në Shqipëri, kjo filozofi merr një dimension edhe më të prekshëm. Në qendër të eksperiencës është Mazda CX-30, modeli që shoqëron udhëtimin në rrugët shqiptare dhe sjell në pah kombinimin mes dizajnit dinamik, komoditetit, performancës dhe kënaqësisë në drejtim.
Përmes kësaj eksperience, Mazda sjell nga afër edhe filozofinë “Feel Alive”, ku makina nuk shihet thjesht si një mjet për të mbërritur në destinacion, por si pjesë e vetë udhëtimit. Mazda CX-30 e mishëron këtë qasje përmes stilit të rafinuar, teknologjisë së menduar për drejtuesin dhe harmonisë mes funksionalitetit dhe emocionit pas timonit.
Nga Epic Drive te përvoja e përditshme
Eksperienca e Mazda Epic Drive krijoi mundësinë që CX-30 të prezantohej në elementin e tij më natyral: në rrugë. Për klientët në Shqipëri, kjo eksperiencë mund të vazhdojë përmes AutoMaster Albania, përfaqësuesit zyrtar të Mazda-s në vend.
Aktualisht, Mazda CX-30 është pjesë e një oferte speciale, me çmim duke filluar nga 23,990 euro, krahasuar me 27,990 euro më parë.
Nga rrugët e përzgjedhura për Epic Drive te përdorimi i përditshëm, CX-30 ruan të njëjtën ide në qendër: që drejtimi të jetë më shumë se një mënyrë për të mbërritur nga një destinacion në tjetrin. Është pikërisht përvoja pas timonit ajo që e kthen një model nga diçka që e njeh në letër, në një makinë që mund ta imagjinosh si pjesë të përditshmërisë tënde.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









