Thursday / October 29 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Nga Vendi

Edhe bizneset greke kundër paketës fiskale: Rritja e taksave rrezikon investimet në Shqipëri

Share Share Icon

Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri (HBAA) ka paralajmëruar se rritja e njëkohshme e disa taksave të parashikuara në Paketën Fiskale 2027 mund të dobësojë konkurrueshmërinë e vendit, të ndikojë në përfitueshmërinë e kompanive dhe të cenojë vendimet për investime të reja, zgjerimin e aktiviteteve ekzistuese dhe riinvestimin e kapitalit.

Në deklaratën publike, shoqata kërkon që përpara miratimit përfundimtar të paketës të kryhet një studim i posaçëm për ndikimin te investimet e huaja dhe të garantohen konsultime me dhomat bilaterale të tregtisë.

HBAA, që përfaqëson një komunitet biznesesh me prani të konsoliduar dhe angazhim afatgjatë në Shqipëri, i bashkohet kështu shqetësimeve të ngritura nga organizata të tjera të sipërmarrjes për efektet e politikës së re fiskale. Shoqata vëren se ndryshimet e konsiderueshme të normave tatimore prekin kuadrin mbi të cilin kompanitë kanë bërë planet e investimit dhe kanë marrë vendimet e financimit.

Deklarata i referohet propozimit fillestar për rritjen e tatimit mbi fitimin nga 15% në 17%, të tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, të TVSH-së standarde nga 20% në 21% dhe të TVSH-së për aktivitete të caktuara turistike nga 6% në 10%. Ndërkohë qeveria është tërhequr nga rritja e propozuar e tatimit mbi fitimin, duke e lënë normën në 15%; shqetësimet e shoqatës, të paraqitura për paketën fillestare, lidhen me ndikimin e kombinuar të masave.

Parashikueshmëria fiskale, kusht për investimet

Shoqata thekson se stabiliteti dhe parashikueshmëria e kuadrit tatimor janë kushte thelbësore për planifikimin afatgjatë. Rritjet e njëkohshme të normave mund të reduktojnë përfitueshmërinë dhe të dobësojnë aftësinë e Shqipërisë për të konkurruar me vende të tjera në tërheqjen e kapitalit, duke ndikuar jo vetëm investitorët e rinj, por edhe bizneset e vendosura tashmë në vend.

HBAA njeh përgjegjësinë e qeverisë për qëndrueshmërinë e financave publike dhe mbështet reformat për zhvillimin ekonomik, formalizimin dhe një sistem tatimor të drejtë e efikas. Por ajo argumenton se objektivi i rritjes së të ardhurave publike duhet të harmonizohet me ruajtjen e një mjedisi tërheqës për investimet.

Për produktet ushqimore bazë, shoqata mirëpret uljen e propozuar të TVSH-së në 6%. Megjithatë, sipas saj, efekti i këtij lehtësimi duhet parë së bashku me masat e tjera të paketës dhe pasojat e përgjithshme mbi investimet, konkurrueshmërinë, punësimin dhe kostot e aktivitetit ekonomik.

Katër kërkesat e biznesit grek

Së pari, HBAA kërkon një periudhë të mjaftueshme kalimtare për çdo normë të re, në mënyrë që kompanitë të përshtatin kontratat, politikat e çmimeve, buxhetet, shpërndarjen e dividendëve dhe planet e investimit. Ndryshimet e menjëhershme, sipas shoqatës, mund të cenojnë planifikimin financiar dhe funksionimin e aktivitetit.

Së dyti, organizata kërkon një studim të posaçëm të ndikimit të paketës mbi investimet e huaja, që të analizojë efektet e kombinuara të tatimit mbi fitimin, dividendit dhe TVSH-së, si dhe pozicionin konkurrues të Shqipërisë kundrejt vendeve të tjera që synojnë të tërheqin kapital të huaj.

Së treti, HBAA kërkon proces formal, të strukturuar e gjithëpërfshirës konsultimi me dhomat bilaterale të tregtisë dhe investitorët, duke garantuar shqyrtimin e propozimeve të tyre, sidomos për taksimin e fitimeve dhe shpërndarjen e dividendëve.

Së katërti, shoqata kërkon që kuadri fiskal pas reformës të jetë i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm, pa ndryshime të shpeshta e të papritura, që investitorët të mund të planifikojnë me siguri veprimtarinë dhe investimet në afat të mesëm.

Edhe organizatat e tjera të biznesit kanë ngritur shqetësime

HBAA vëren se shqetësime të ngjashme janë shprehur edhe nga shoqata të tjera në Shqipëri për ndikimin e mundshëm në fitimet neto pas tatimit, fondet për investime, çmimet, marzhet e fitimit dhe konkurrueshmërinë. Në këtë kontekst, ajo kërkon që konsultimi institucional dhe afatet e përshtatjes të jenë pjesë e procesit përfundimtar të miratimit.

Komuniteti i biznesit grek riafirmon angazhimin për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe forcimin e marrëdhënieve tregtare me Greqinë. Shoqata shprehet e gatshme të marrë pjesë në konsultime dhe të kontribuojë me propozime konkrete, me synimin që paketa përfundimtare të ruajë ekuilibrin ndërmjet objektivave buxhetorë dhe atraktivitetit afatgjatë të Shqipërisë si destinacion investimesh.

Burimi: Deklaratë publike e Shoqatës së Biznesit Grek në Shqipëri (HBAA), Tiranë, tetor 2026.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Biznesi në bllok, kundër qeverisë për paketën fiskale: rrezikohen investimet dhe vendet e punës

Si asnjëherë tjetër, një valë e pazakontë kundërshtimesh nga të gjitha segmentet kryesore të sipërmarrjes ka shoqëruar propozimet e qeverisë për Pa...

2 hours më parë 8 Min Lexim

Si ndahet torta 2,2 mld euro e investimeve, arsimi dhe shëndetësia marrin vetëm 5%

Shpenzimet kapitale në projektbuxhetin e vitit 2027 parashikohen të arrijnë në 201.5 miliardë lekë, nga 176.2 miliardë lekë në vitin 2026, me një r...

3 hours më parë 10 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!