Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë dhe komandantin e Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara, gjeneralin Alexus Grynkewich.

Në takim ishin të pranishëm edhe komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, si dhe e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati.


Kurti ka theksuar se Kosova, për katër vjet me radhë, ka shpenzuar mbi 2 për qind të Bruto Produktit Vendor për mbrojtje, duke nënvizuar investimet në rritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ai ka bërë të ditur se javën e kaluar janë betuar 515 ushtarë të rinj, ndërsa këtë javë 209 rekrutë kanë nisur stërvitjen bazë. Sipas Kurtit, Kosova po vazhdon me trajnime dhe blerje, me synim rritjen e profesionalizmit ushtarak dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të FSK-së.

Kryeministri ka deklaruar se vendi është përpara afateve të parapara në planin dhjetëvjeçar të zhvillimit të FSK-së dhe se synon ta përmbushë atë para vitit 2028.

Kurti ka shprehur gjithashtu mirënjohjen e Kosovës për rolin e NATO-s në çlirimin e vendit, si dhe për kontributin e KFOR-it në ruajtjen e paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë në Kosovë dhe rajon./Telegrafi.