Partitë arabe i ofrojnë opozitës aleancë për rrëzimin e Netanyahut

Partitë arabe në Izrael i kanë bërë thirrje opozitës që të bashkëpunojnë për formimin e një qeverie të re dhe largimin nga pushteti të kryeministrit Benjamin Netanyahu, duke theksuar se pa mbështetjen e tyre nuk mund të sigurohet shumica parlamentare.
Lista e Përbashkët, koalicioni i partive arabe, deklaroi se është e gatshme të bashkëpunojë me bllokun opozitar, duke e cilësuar rezultatin e zgjedhjeve si historik për komunitetin arab dhe për kampin kundërshtar të Netanyahut.
Sipas projeksioneve zgjedhore, blloku i Netanyahut pritet të sigurojë 53 ulëse në parlamentin izraelit, ndërsa opozita 48.
Partitë arabe, së bashku me partinë Ra’am, kanë 19 ulëse, të cilat mund t’i japin opozitës shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh në Knesset, parlamentin me 120 anëtarë, shkruan timesofisrael.
Në një deklaratë, Lista e Përbashkët akuzoi partinë Likud të Netanyahut për zhvillimin e një fushate kundër pjesëmarrjes politike të qytetarëve arabë dhe i bëri thirrje opozitës të mos bashkëpunojë me pretendimet e kryeministrit për parregullsi zgjedhore.
“Pa ne nuk mund të fitoni. Me ne mund të ndërtojmë një të ardhme ndryshe”, thuhet në deklaratën e koalicionit.
Ndërkohë, pretendimet për financim të huaj dhe ndërhyrje në zgjedhje kanë nxitur kërkesa për hetime nga shërbimi izraelit i sigurisë Shin Bet. Megjithatë, sipas raportimeve, deri më tani nuk janë paraqitur prova për mashtrime masive zgjedhore.
Bashkëpunimi mes partive arabe dhe opozitës mund të jetë vendimtar për formimin e qeverisë së ardhshme, por mbetet të shihet nëse palët do të arrijnë marrëveshje politike për ta larguar Netanyahun nga pushteti. /Telegrafi/






































