Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi listën e 1,500 aplikuesve të shpallur fitues për programin social “Për subvencionimin e interesave të kredive”, për subvencionimin e interesave të kredisë nga buxheti i shtetit për blerjen e apartamenteve në Tiranë.
Në të njëjtën mbledhje u zhvillua debat për zhvendosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj në burgun e Fierit. Demokratët kundërshtuan mënyrën e transferimit, ndërsa edhe socialisti Halit Valteri shprehu shqetësim. Ilda Zhulali, duke iu referuar postimit në Facebook të Veliajt, deklaroi se ai u dërgua në izolim pa dokumente zyrtare dhe kritikoi transferimin si pasojë të një statusi në rrjetet sociale. Ajo tha se, pavarësisht mungesës së simpatisë personale për Veliajn, veprimet e qeverisë tregojnë rrezik për të drejta dhe liri, dhe apeloi që drejtuesit studentorë të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme.
Dorian Teliti iu kundërpërgjigj Halit Valterit, duke theksuar se nuk e shqetëson fati i Veliajt si post, por mënyra e rrëmbimit dhe autorët e urdhrit të transferimit. Ai kërkoi sqarim për përgjegjësitë dhe tha se duhet të merren parasysh edhe rastet e dhunës ndaj protestuesve të rinj — përfshirë përdorimin e shkopinjve gome, plagosjet dhe kushte jetese të vështira të të rinjve dhe studentëve që protestojnë për strehim. Teliti foli për problematikat e transportit dhe konvikteve të studentëve, përmendi mungesën e shpresës për qytetarin e thjeshtë dhe i ftoi kolegët ta mbështesin protestën.
Halit Valteri shprehu shqetësim për transferimin e papritur të Veliajt dhe kushtet e mbajtjes në Fier, duke kërkuar që çështjet e ngritura pas vizitës së Avokatit të Popullit të verifikohen. Ai theksoi se Veliaj është i paraburgosur dhe gëzon prezumimin e pafajësisë dhe të drejtat kushtetuese; asnjë masë paraburgimi nuk duhet të shfaqet si justifikim për trajtim ç’njerëzor, kufizime të takimeve me familjarë apo mbrojtës, apo për mosdhënie të kujdesit shëndetësor. Valteri kërkoi nga Ministria e Drejtësisë arsyet e transferimit dhe vlerësimin e nevojave shëndetësore të Veliajt, duke nënvizuar se, sipas dijenisë së tij, ai ka edhe këmbën në allçi.
