India parashikon rritje ekonomike 7,3%, por inflacioni dhe nafta rrisin rreziqet

Ekonomia e Indisë pritet të rritet me 7,3% në vitin fiskal që përfundon në mars 2027, sipas vlerësimit të Ministrisë së Financave, ndërsa rritja e çmimeve të energjisë, presionet inflacioniste dhe pasiguria në tregjet ndërkombëtare mbeten rreziqet kryesore për ekonominë.
Parashikimi i qeverisë është më optimist se ai i Bankës Qendrore të Indisë, e cila në fillim të tetorit vlerësoi një rritje prej 7,1% për të njëjtën periudhë.
Sipas Reuters, në raportin ekonomik të publikuar më 29 tetor, Ministria e Financave thekson se inflacioni në muajt e ardhshëm do të varet nga furnizimi i tregut vendas me ushqime, luhatjet e çmimeve ndërkombëtare të energjisë dhe kushtet e likuiditetit në ekonomi.
Rritja ekonomike mbështetet nga kërkesa e brendshme, aktiviteti industrial, sektori i shërbimeve dhe zgjerimi i kreditimit. Ministria vlerëson se aktiviteti ekonomik do të vazhdojë të mbështetet edhe nga investimet dhe reformat strukturore. Megjithatë, çmimet e larta të naftës dhe tensionet gjeopolitike po shtojnë presionin mbi kostot e prodhimit dhe importet. Luhatjet e çmimeve të energjisë janë ndër faktorët kryesorë që mund të ndikojnë ecurinë e inflacionit gjatë muajve të ardhshëm.
Një tjetër rrezik lidhet me fenomenin klimatik El Niño, intensifikimi i të cilit mund të ndikojë lagështinë e tokës përpara sezonit të mbjelljeve dimërore, duke krijuar pasiguri për prodhimin bujqësor dhe furnizimin me ushqime. Banka Qendrore e Indisë ka rritur së fundmi normën bazë të interesit, ndërsa Ministria e Financave vlerëson se efektiviteti i kësaj mase në kufizimin e efekteve dytësore të inflacionit do të varet nga administrimi aktiv i likuiditetit.
Presionet janë shfaqur edhe mbi monedhën vendase, rupinë, e cila është ndikuar nga çmimet e naftës, daljet e kapitalit nga investitorët e portofolit dhe pasiguria në tregjet globale. Megjithatë, India vazhdon të mbajë rezerva të konsiderueshme valutore. Sipas të dhënave të raportit, rezervat arritën në 721 miliardë dollarë më 16 tetor, një nivel i mjaftueshëm për të mbuluar 10,3 muaj importe.
Banka Qendrore ka ndërmarrë gjithashtu masa për sigurimin e likuiditetit në dollarë për kompanitë shtetërore të naftës dhe kufizimin e spekulimeve në tregun valutor, me synim zbutjen e luhatjeve të kursit të këmbimit dhe inflacionit të importuar. Ministria e Financave vlerëson se ekonomia indiane mbetet në pozicion të favorshëm për të ruajtur ritmin e zgjerimit, megjithëse tensionet gjeopolitike, paqëndrueshmëria e çmimeve të energjisë dhe shtrëngimi i kushteve financiare ndërkombëtare vazhdojnë të përbëjnë rreziqe për perspektivën ekonomike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









