Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka themeluar grupin punues për hartimin e Projektligjit për Pensionimin e Parakohshëm të personelit policor në Policinë e Kosovës.

Sipas vendimit, grupi punues do të udhëhiqet nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Viktor Buzhala, ndërsa zëvendësudhëheqës është Qëndrim Bytyqi nga Departamenti Ligjor i kësaj ministrie.


Në përbërje të grupit janë edhe përfaqësues të tjerë të MPB-së, institucioneve përkatëse dhe Policisë së Kosovës, përfshirë zyrtarë nga departamente dhe njësi të ndryshme institucionale.

Vendimi parasheh që, nëse gjatë hartimit të projektligjit paraqitet nevoja, grupi punues mund të ftojë edhe përfaqësues të institucioneve të tjera dhe ekspertë, bazuar në vlerësimin e udhëheqësit të tij.

Grupi do të jetë përgjegjës për administrimin e konsultimeve paraprake dhe publike, përgatitjen e draftit fillestar dhe dokumentacionit përcjellës, si dhe dorëzimin e tyre në Departamentin Ligjor për procedim të mëtejshëm dhe miratim.

Po ashtu, të gjitha njësitë përkatëse të MPB-së dhe zyrtarët e saj obligohen të bashkëpunojnë me grupin punues dhe të ofrojnë të dhënat e kërkuara gjatë procesit të hartimit të projektligjit.

Megjithatë, themelimi i grupit punues shënon fillimin e procesit të hartimit të projektligjit. Në këtë fazë, ende nuk janë përcaktuar kriteret konkrete për pensionimin e parakohshëm, mosha e pensionimit apo përfitimet që mund të parashihen për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.