Opozita parlamentare do të bojkotojë takimet e thirrura nga Presidenti Bajram Begaj për konsultimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Takimet janë parashikuar të zhvillohen të premten, më 30 tetor, në Pallatin e Brigadave, por asnjë nga partitë parlamentare të pakicës nuk pritet të marrë pjesë.
Pas Partisë Demokratike, e cila e cilësoi ftesën e kreut të shtetit si një teatër politik, edhe partitë e tjera opozitare kanë konfirmuar se nuk do të jenë të pranishme. Sipas Report Tv, Partia e Lirisë, Partia Mundësia, Lëvizja Bashkë dhe Shqipëria Bëhet i kanë thënë jo ftesës së Presidentit.
E vetmja forcë politike që pritet të marrë pjesë në konsultime është Partia Socialiste. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi se mazhoranca nuk ka një datë të preferuar për zgjedhjet vendore, por përjashton 2 majin për shkak të festës së Pashkëve Ortodokse.
“S’kemi datë të preferuar, por në respekt të Pashkëve Ortodokse, jo 2 maji”, u shpreh Balla.
Megjithëse partitë politike nuk kanë përcaktuar një datë të preferuar, 9 maji shihet si një nga datat më të mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Në këto zgjedhje, qytetarët do të votojnë për të zgjedhur drejtuesit e rinj të bashkive në të gjithë vendin.
Përpara konsultimeve me partitë politike, Presidenti Bajram Begaj është takuar edhe me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Pas përfundimit të konsultimeve, kreu i shtetit ka afat deri më 6 nëntor për të nxjerrë dekretin që do të përcaktojë datën zyrtare të zgjedhjeve vendore.
