Vendosni fjalën kyçe....

Rekord spastrimesh në Partinë Komuniste të Kinës, Xi Jinping thekson “disiplinën partiake”


Një numër rekord prej 33 anëtarësh janë përjashtuar nga Partia Komuniste e Kinës, ndërsa përfundoi një nga mbledhjet kryesore politike të përvitshme të vendit, e cila u karakterizua nga numri më i madh i vendeve bosh të regjistruara ndonjëherë.

Në plenumin e pestë morën pjesë 279 anëtarë të Komitetit Qendror, krahasuar me 315 në plenumin e katërt, në tetor 2025, dhe 364 në të tretin, në korrik 2024.

Ndërsa plenumeve të mëparshme u kanë dominuar reformat ekonomike ose çështjet sociale dhe të zhvillimit, në mbledhjen e kësaj jave vëmendja kryesore iu kushtua disiplinës partiake.

Xi Jinping e ka vendosur luftën kundër korrupsionit në qendër të qeverisjes së tij që kur mori drejtimin e vendit në vitin 2012, duke e cilësuar atë si “kërcënimin më të madh” për partinë.

Vazhdojnë spastrimi dhe fushata kundër korrupsionit

Sipas një komunikate të publikuar të enjten, në përfundim të mbledhjes katërditore me dyer të mbyllura, të zhvilluar në një hotel në Pekin, 16 nga 33 anëtarët e përjashtuar vijnë nga radhët e ushtrisë.

Nuk është e qartë se cilat janë akuzat konkrete ndaj këtyre anëtarëve, përtej formulimit “shkelje të rënda disiplinore dhe ligjore”. Akuza të tilla të përgjithshme janë bërë të zakonshme gjatë fushatës kundër korrupsionit të ndërmarrë nga Xi Jinping.

Chong Ja Ian, studiues jo-rezident pranë Carnegie China, thotë se kjo fushatë është shndërruar në “një përpjekje për të konsoliduar dhe ruajtur autoritetin”.

“Në këtë rast, fushata do të vazhdojë dhe do të zgjerohet në varësi të asaj se sa i sigurt ndihet Xi, dhe jo për shkak të ndonjë problemi real me korrupsionin”, shprehet ai.

Në deklaratën e saj, partia tha se “është përballur drejtpërdrejt me realitetin e zymtë se udhëheqja e partisë, në disa raste, është dobësuar ose është zbrazur nga përmbajtja”. Ajo u zotua gjithashtu të vazhdojë “zbatimin e rreptë të vetëqeverisjes partiake, përfshirë kthimin e thikës nga brenda për të… frenuar çrregullimet”.

Përjashtimet e fundit e çojnë në 51 numrin e anëtarëve të larguar gjatë mandatit të tretë të Xi Jinping, një shifër rekord. Në mandatin e tij të parë ishin përjashtuar 35 anëtarë, ndërsa në të dytin vetëm pesë.

Përtej punimeve të plenumit, organi më i lartë i Kinës kundër korrupsionit raportoi se 680 mijë persona në të gjitha strukturat e partisë janë ndëshkuar gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti.

Kjo është gjithashtu hera e parë në 14 vitet e udhëheqjes së Xi-së që pjesëmarrja në një plenum bie nën 300 anëtarë. Komiteti Qendror aktual e nisi mandatin në vitin 2022 me më shumë se 370 anëtarë.

Vëzhguesit argumentojnë se Xi e sheh korrupsionin jo vetëm si përvetësim të paligjshëm të parave, por edhe si papastërti ideologjike dhe, mbi të gjitha, si mungesë besnikërie.

Në janar, ai paralajmëroi kundër “kuadrove me dy fytyra”, të cilët shprehin publikisht besnikëri politike, por në të vërtetë kundërshtojnë urdhrat dhe veprojnë në interesin e tyre personal.

Cilët janë figurat kryesore të përjashtuara?

Mes zyrtarëve të rangut të lartë të përjashtuar janë ish-kreu i partisë në Xinjiang, Ma Xingrui, si dhe ish-gjeneralët e lartë Zhang Youxia dhe Liu Zhenli.

Në deklaratat zyrtare për largimin e tyre, të publikuara gjatë këtij viti, thuhej se ata kishin “shkelur rëndë disiplinën dhe rregullat e partisë”. Ky formulim interpretohet gjerësisht si një mënyrë e tërthortë për t’iu referuar korrupsionit.

Pastrimi i niveleve më të larta të drejtimit ushtarak ka qenë veçanërisht domethënës. Neil Thomas, Lobsang Tsering dhe Shengyu Wang, nga Instituti i Politikave i Shoqatës së Azisë, e kanë përshkruar këtë zhvillim si “një rast më vete, që nuk krahasohet me të tjerët”.

“Kjo ngre pikëpyetje serioze mbi drejtimin organizativ dhe gatishmërinë luftarake, në një kohë kur Kina vazhdon të prezantojë pajisje ushtarake mbresëlënëse”, shkruan ata.

Zhang Youxia ishte gjithashtu nënkryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, organi që kontrollon forcat e armatosura. Ky komision, i përbërë nga shtatë anëtarë, është reduktuar tashmë në vetëm dy: Xi Jinping, në cilësinë e kryetarit, dhe Zhang Shengmin, nënkryetar.

Ma Xingrui dhe Zhang Youxia kishin qenë anëtarë të Byrosë Politike të Partisë Komuniste. Largimi i tyre, së bashku me atë të ish-gjeneralit He Weidong në vitin 2025, bëri që organi i fuqishëm prej 24 anëtarësh, Byroja Politike, të mbetej për një periudhë me vetëm 21 anëtarë.

Zhang Shengmin u promovua në organin më të lartë vendimmarrës gjatë plenumit të pestë, duke e çuar numrin e anëtarëve të Byrosë Politike në 22.

Mes personave të përfshirë në spastrime u përmend edhe Liu Jianchao, një diplomat i njohur më parë, i cili u zhduk nga jeta publike në korrik të vitit të kaluar.

Chong thotë se Xi nuk heziton të largojë edhe njerëzit që vetë i ka promovuar.

“Fakti që ai i largon ata sipas dëshirës, me pak kundërshtim, tregon se pozita e tij aktualisht është pothuajse e paprekshme”, shprehet studiuesi.

Planet e Xi Jinping për të ardhmen

Analistët besojnë se një nga arsyet e theksimit gjithnjë e më të madh të disiplinës, që shumë e interpretojnë si kërkesë për besnikëri, lidhet me Kongresin e ardhshëm të Partisë Komuniste, ku vitin e ardhshëm do të votohet sërish për udhëheqësin e ardhshëm të partisë.

Një riorganizim i drejtuesve pritet në vitin 2027 dhe shumë analistë mendojnë se Xi do të qëndrojë në postin më të lartë për një mandat të katërt dhe ndoshta edhe më gjatë. Asnjë udhëheqës tjetër nuk ka qëndruar kaq gjatë në krye të Kinës, me përjashtim të Mao Ce Dunit, themeluesit të Kinës komuniste.

Sipas Thomas, Xi ka arsye që “të shqyrtojë më nga afër brezin e ardhshëm të drejtuesve”, duke pasur parasysh numrin e madh të zyrtarëve që kanë rënë nga detyra në përbërjen aktuale të Komitetit Qendror.

“Yjet në ngjitje të sotme priren të jenë relativisht të rinj, të kenë formim teknik dhe profesional dhe të kenë lidhje me rrjetin politik të Xi-së”, thotë ai, duke shtuar se “radhët e drejtuesve provincialë janë një vend premtues ku mund të kërkohen kandidatë”.

Vëzhguesit thonë se, në fund të fundit, pritet që Xi të ketë ndikim vendimtar në përzgjedhjen e personelit drejtues gjatë Kongresit të 21-të të Partisë, gjë që do ta forconte më tej kontrollin e tij mbi partinë dhe vendin.

Chong thotë se “fokusi i Xi-së është te konsolidimi i mëtejshëm i pushtetit rreth vetes”.

“Deklarata përmbledhëse e plenumit sugjeron se ai synon të qëndrojë në qendër të Kinës dhe të Partisë Komuniste për një të ardhme të parashikueshme”, shprehet ai.

Megjithatë, studiuesi paralajmëron se përqendrimi i pushtetit mund të krijojë probleme në të ardhmen.

“Më vonë, përqendrimi i tillë i pushtetit mund të hapë rrugën për një vakum më serioz pushteti, kur Xi të plaket dhe të ngadalësohet”, përfundon Chong.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e BBC