Zyra e Kryeministrit pranon raportet për rastin e Arlinda Zekajt

Zyra e Kryeministrit ka pranuar raportet e hollësishme nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me rastin e Arlinda Zekajt.
Në një njoftim të publikuar të enjten, ZKM-ja bëri të ditur se raportet do të shqyrtohen dhe analizohen në detaje, në bashkëpunim me ministrat përkatës.
Shqyrtimi do të përfshijë historinë dhe rrjedhën e rastit, si dhe çdo lëshim të mundshëm, trajtim të papërgjegjshëm, neglizhencë apo mosreagim, përfshirë çështjet që lidhen me procedurat dhe përgjegjësinë institucionale.
Ndërkaq, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media të premten, në orën 09:00, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.
Konferenca pritet të trajtojë zhvillimet lidhur me raportet dhe hapat e mëtejmë institucionalë për rastin e Arlinda Zekajt.







































