Qershor, 2016. Xhelal Sveçla, atëbotë drejtor i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, jep dorëheqje pas vdekjes së dy fëmijëve në një gropë të mbushur me ujë në lagjen Kolovicë të Prishtinës.
Dhjetë vjet më vonë, një tjetër rast tragjik, vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, ka vënë në qendër të vëmendjes përgjegjësinë institucionale për mbrojtjen e qytetarëve.
Kësaj radhe, Sveçla është ministër i Punëve të Brendshme.
IPK evidenton dështimet e Policisë në trajtimin e rasteve të Arlinda Zekajt
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në gjetjet preliminare për rastin, ka evidentuar dështime në disa nivele të Policisë së Kosovës, përfshirë moszbatimin me kohë të urdhrave për mbrojtje dhe mënyrën e trajtimit të informatave për rrezikun ndaj Zekajt.
Si rezultat, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e 11 zyrtarëve policorë, përfshirë zyrtarë udhëheqës në nivel rajonal e lokal dhe katër hetues të stacionit policor në Pejë.
Përveç zyrtarëve policorë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar edhe kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri, pas rekomandimit të kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi.
Kujtomë se rasti i vitit 2016, për të cilin Sveçla kishte dhënë dorëheqje, kishte të bënte me vdekjen e dy fëmijëve, 11 dhe 13 vjeç, në një gropë të mbushur me ujë. Atëkohë, ai e kishte lidhur vendimin për dorëheqje me pamundësinë e institucioneve për të parandaluar tragjedinë dhe kishte folur për përgjegjësinë e tij njerëzore.
“Pamundësia jonë për të luftuar deri në fund tërë këtë trashëgimi të tmerrshme që na e la qeverisja e kaluar në Prishtinë, ka shkaktuar vdekjen e këtyre fëmijëve”, kishte shkruar Sveçla në reagimin e tij.
Ai kishte theksuar se, ndonëse nuk ndiente përgjegjësi ligjore, e ndiente atë në aspektin njerëzor.
“Nuk ndjej përgjegjësi ligjore, por njerëzore po. Qoftë edhe si bashkëqytetar i këtyre dy fëmijëve të vegjël. Jeta ime nuk mund të jetë e njëjtë pas këtij rasti”, kishte deklaruar ai.
Dhjetë vjet më vonë, pas vrasjes së Arlinda Zekajt dhe suspendimit të zyrtarëve policorë e prokurorëve për lëshimet e dyshuara në trajtimin e rastit, shtrohet çështja nëse do të ketë edhe përgjegjësi politike.
Deri më tani, mbetet të shihet nëse do të ketë dorëheqje nga ministri Sveçla, siç kishte bërë 10 vjet më parë.