Është ndarë nga jeta në moshën 101-vjeçare akademik Luan Omari, konstitucionalisti i njohur dhe një prej themeluesve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Për dekada me radhë, ai kontribuoi në zhvillimin e mendimit juridik, studimin e së drejtës kushtetuese dhe formimin e brezave të juristëve shqiptarë.
Lajmi u bë i ditur nga Akademia e Shkencave, e cila shprehu ngushëllimet për humbjen e një prej personaliteteve të saj themeluese. Omari shërbeu në këtë institucion si sekretar shkencor dhe zëvendëskryetar, ndërsa gjatë karrierës së tij mbajti edhe detyra të rëndësishme në arsimin e lartë.
Akademia e Shkencave e cilësoi largimin e tij si një humbje për shkencën dhe kulturën shqiptare, duke vlerësuar kontributin e tij shumëvjeçar në studimin e së drejtës dhe në zhvillimin e institucioneve demokratike e të shtetit të së drejtës.
Kush ishte Luan Omari?
Luan Omari lindi më 10 qershor 1925 në Tiranë, në një familje me tradita kulturore dhe arsimore. Arsimin e hershëm e kreu në Bari të Italisë, ndërsa studimet e larta për drejtësi i vijoi në Beograd dhe Sofje, ku u diplomua në shkencat juridike.
Karriera e tij akademike u lidh ngushtë me Universitetin e Tiranës. Ai punoi si docent i së Drejtës Publike në Institutin e Lartë Juridik dhe drejtoi për gati dy dekada Fakultetin e Drejtësisë. Më pas, shërbeu si profesor i teorisë së shtetit dhe së drejtës, si dhe i së Drejtës Publike, duke ndikuar në formimin e shumë brezave juristësh dhe studiuesish.
Omari ishte autor i dhjetëra studimeve dhe monografive që trajtonin historinë e së drejtës në Shqipëri, të drejtën publike e kushtetuese dhe sistemin juridik shqiptar. Ai mori pjesë gjithashtu në proceset dhe debatet për hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë dhe të ligjeve kushtetuese pas viteve 1990.
Në arenën ndërkombëtare, ai përfaqësoi Shqipërinë në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës, duke kontribuar në debatet mbi demokracinë dhe të drejtën kushtetuese.
Për kontributin e tij në fushën e drejtësisë dhe në zhvillimin e institucioneve akademike, në vitin 2020 Presidenti i Republikës e nderoi me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Ndërsa në vitin 2016, Akademia e Shkencave i akordoi Çmimin e Karrierës Akademike.
Nderimet për akademikun më 30 tetor
Ceremonia e nderimit të Luan Omarit do të zhvillohet të premten, më 30 tetor 2026, në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Sipas programit zyrtar, në orën 10:00 do të mbahet Akademia Solemne në sallën “Aleks Buda”. Homazhet do të zhvillohen nga ora 11:00 deri në 13:00, ndërsa në orën 13:00 kryetari i Akademisë së Shkencave, akademik Skënder Gjinushi, do të mbajë fjalën e lamtumirës.
Në mesazhin e saj, Akademia e Shkencave shprehu ngushëllimet më të thella për familjen, të afërmit, miqtë, kolegët dhe gjithë bashkësinë shkencore.
“I paharruar kujtimi i akademik Luan Omarit!”

