Nga derbi Tirana–Dinamo te gara për titull, Matraxhiu analizon Superioren: Egnatia mbetet pretendente

29 Tetor 2026 | 19:10

Menaxheri i futbollit Andi Matraxhiu, i ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Kubi Sportiv” me Drilon Xhepollarin, ka komentuar derbin mes Tiranës dhe Dinamos, si dhe ecurinë e skuadrave të tjera në Kategorinë Superiore.

Duke u ndalur te barazimi 1-1 mes Tiranës dhe Dinamos, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, Matraxhiu u shpreh se nervozizmi i Dinamos lidhet edhe me ecurinë e skuadrës në fillim të kampionatit.

Sipas tij, pas fitores së rëndësishme ndaj Egnatias, ekipi kishte pritshmëri për të vijuar me rezultate pozitive. Sa i përket Tiranës, Matraxhiu vuri në dukje problemet që skuadra shfaq në pjesën e dytë të ndeshjeve, duke ngritur edhe mundësinë e vështirësive fizike.

““Sa i takon tensionit te skuadra e Dinamos, mendoj që ka të bëjë me faktin që vinin nga një fitore shumë e rëndësishme përballë Egnatias dhe kjo i shtynte akoma më shumë që të arrinin këtë ritëm. Mirëpo, edhe oshilacionet që kanë pasur në fillim të kampionatit e bënin skuadrën të ishte pak më nervoze, të kërkonte pak edhe me forcë, le të themi, fitoren. Pastaj, për të analizuar Tiranën, është një skuadër që ka probleme gjithmonë në pjesën e dytë. Unë mendoj që nuk duhet të paragjykoj stafin fizik, por mendoj që ka edhe probleme fizike, sepse gjithmonë çalon në pjesën e dytë, po të arrijmë të analizojmë edhe disa ndeshje të tjera. Megjithatë, është një ekip që ka pak ngritje, por nuk është në ato nivelet e duhura. Edhe golat e pësuar, nëse nuk gaboj, janë 12 ose 13, nuk jam i saktë. Oshilacionet, domethënë që nuk arrin të mbajë një fitore, nuk e bëjnë një ekip që unë ta shoh për titull kampion. Thashë që Tiranën nuk e shoh për kampion. Tiranën e shoh që do të lëkundet, do të ketë rivalitet me Elbasanin apo Vllazninë për vendin e katërt. Këtu i shoh dy ekipet e para, Egnatian dhe Teutën, pastaj Dinamon dhe këto tri ekipet që analizova. Mund të afrohet edhe Partizani ose ndonjë ekip tjetër për vendin e katërt, por nuk e shoh Tiranën lart për titullin kampion”, u shpreh Matraxhiu.

Menaxheri i futbollit komentoi edhe përballjen mes Egnatias dhe Teutës, të cilën e cilësoi një ndeshje të rëndësishme për të kuptuar pretendimet e të dyja skuadrave në garën për titull.

Sipas tij, Egnatia dhe Teuta janë dy skuadrat që aktualisht shfaqen më të forta në garën për titullin, ndërsa Dinamo dhe ekipet e tjera do të synojnë të afrohen me kreun e renditjes.

Matraxhiu tha se e ka vlerësuar lojën e Teutës këtë sezon, por shprehu një prirje të lehtë për Egnatian, duke përmendur edhe organikën e gjerë të kësaj të fundit, që i mundëson të përballojë kampionatin dhe angazhimet në kupat e Europës.

“Teuta ka një provë të vërtetë. Duhet të tregojë që me të vërtetë është për titullin kampion, sepse barrierë më të fortë se Egnatia nuk do të gjejë”, u shpreh ai.

Duke komentuar ecurinë e Elbasanit, Matraxhiu vlerësoi ndikimin e ndryshimit të trajnerit dhe rezultatet e fundit të skuadrës. Sipas tij, barazimi ndaj Teutës dhe fitorja kundër Partizanit janë hapa të rëndësishëm për rikthimin te rezultatet pozitive.

“Mendoj që barazimi ndaj Teutës dhe fitorja me Partizanin janë dy hapa shumë cilësorë që i japin një bazament të rikthimit tek rezultatet pozitive”, deklaroi ai.

Megjithatë, Matraxhiu theksoi se Elbasani i këtij sezoni ndryshon nga skuadra e sezonit të kaluar, pasi ka më pak përvojë dhe ka nevojë për kohë që lojtarët e rinj të përshtaten.

Një pjesë të rëndësishme të diskutimit, Matraxhiu ia kushtoi situatës te Partizani, i cili, sipas bisedës në emision, kishte regjistruar shtatë humbje në fazën e parë të kampionatit, tri prej tyre me trajnerin e ri.

Ai e cilësoi situatën si delikate dhe tha se mungesa e një drejtori e bën më të drejtpërdrejtë përgjegjësinë e personave që drejtojnë klubin.

“Tani është koha e të vërtetës tek Partizani dhe kjo e vërtetë është e hidhur për momentin”, u shpreh Matraxhiu.

Ai vlerësoi investimet e presidentit Demi në infrastrukturë, por kritikoi zgjedhjet e trajnerëve, duke argumentuar se disa prej tyre nuk kanë arritur të japin rezultatet e pritshme.

Skënderbeu dhe Laçi, në garën për mbijetesë

Duke komentuar barazimin mes Skënderbeut dhe Laçit, Matraxhiu i vlerësoi të dyja skuadrat si ekipe me nivel të përafërt, që pritet të luftojnë për mbijetesën në Kategorinë Superiore.

“Po të bëjmë një metaforë, janë boksierë të së njëjtës peshë. I shoh në të njëjtën peshë që do të luftojnë për mbijetesë”, u shpreh ai.

Vllaznia ka nevojë për kohë pas ndryshimit të trajnerit

Për Vllazninë, e cila pas rezultateve pozitive pësoi një humbje të thellë ndaj Vorës, Matraxhiu tha se problemet e krijuara në fillim të sezonit nuk mund të zgjidhen menjëherë.

Ai vlerësoi se skuadra ka treguar shenja përmirësimi, por do t’i duhet kohë për të rikuperuar pasojat e ecurisë së dobët në fillim të kampionatit.

“Unë nuk pres që Vllaznia dhe trajneri i ri të kenë shkopin magjik dhe të heqin çdo lloj problemi”, deklaroi Matraxhiu.

Gjatë intervistës, Matraxhiu foli edhe për ekipin e EFA-s në Kategorinë e Dytë, ku tha se objektivi kryesor është mbijetesa dhe promovimi i lojtarëve të rinj. Ai theksoi se skuadra ka një moshë mesatare të re dhe se lojtarëve u duhet kohë për të fituar përvojën e nevojshme.

“Objektivi ynë është mbijetesa dhe të afirmojmë këta djem të rinj që janë pjesë e skuadrës”, deklaroi Matraxhiu.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Barazimi me Aarhus, Ndreca: Egnatia po luan si e barabartë me rivalët në Europë, synojmë fazën e play-off-it

Futbollisti i Egnatias, Edison Ndreca, e ka vlerësuar pozitivisht barazimin 1-1 ndaj Aarhusit në Danimarkë, në kuadër të fazës së ligës së Conference League. Në...
17:15 | 23/10/2026

Partizani në krizë, ish-sulmuesi Dosti flet pas shkarkimit të Bratus: Duhet një trajner që e njeh futbollin shqiptar

Ish-sulmuesi i Partizanit dhe i Kombëtares shqiptare, Edmond Dosti, komentoi shkarkimin e trajnerit Florin Bratu pas humbjes 1-3 në derbin ndaj Tiranës. I ftuar në...
19:18 | 12/10/2026

Spanja, Franca, Argjentina… Raklli zbërthen favoritët e Botërorit 2026

Në emisionin “Kubi Sportiv”, të drejtuar nga Drilon Xhepollari, u diskutua nisja e turneut më të madh futbollistik në botë, FIFA World Cup 2026, si...
18:13 | 11/06/2026