Rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare në Izrael tregojnë se kryeministri Benjamin Netanyahu kryeson ndaj rivalit të tij, ish-shefit të ushtrisë Gadi Eisenkot, por ende nuk ka siguruar shumicën për të formuar qeverinë. Me 85% të votave të numëruara, koalicioni përbërë nga partia Likud e Netanyahut së bashku me aleatët e së djathtës ekstreme dhe partitë ultraortodokse pritet të marrë 53 vende në Knesset-in me 120 deputetë. Blloku i udhëhequr nga Eisenkot, përfshirë partinë e tij Yashar dhe tre parti të tjera hebraike të opozitës, pritet të sigurojë gjithsej 48 mandate.
Të dy liderët kanë deklaruar se do të përpiqen të krijojnë koalicione qeverisëse për të arritur shumicën parlamentare. Një zhvillim i rëndësishëm është rezultati i pritshëm i partive të udhëhequra nga arabët, që mund të marrin gjithsej 19 mandate — një numër rekord — dhe që në teori mund t’u japë një rol vendimtar në formimin e qeverisë. Megjithatë, pothuajse të gjitha partitë hebraike kanë njoftuar se nuk do të bashkëpunojnë me to, duke kufizuar mundësitë e përfshirjes së tyre në koalicione.
Pas konfirmimit zyrtar të rezultateve, presidenti izraelit Isaac Herzog do të konsultohet me përfaqësuesit e të gjitha forcave politike dhe do t’i japë mandatin për formimin e qeverisë liderit që ai vlerëson se ka më shumë shanse për të arritur shumicën. Procesi i negociatave mund të zgjasë disa javë; nëse asnjë kandidat nuk arrin të formojë një koalicion, mund të nevojiten zgjedhje të reja.
Analistët përpiqen të shpjegojnë arsyet e mbijetesës politike së Netanyahut. Sipas tyre, ai është i aftë të dalë nga krizat dhe të ndërtojë aleanca politike; është përpjekur të kontrollojë narrativën rreth dështimit të sigurisë më 7 tetor 2023, ka kundërshtuar një hetim të plotë mbi ngjarjen dhe ka argumentuar se Izraeli ndodhej në luftë. Aftësia për kontrolle të mesazhit politik, negociatë dhe ndërtim koalicionesh përbën, sipas analistëve, shtyllat e strategjisë së tij për të qëndruar në pushtet.
