Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar sërish për transferimin e tij në burgun e Fierit, duke kundërshtuar vendimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për ta klasifikuar atë si “sekret shtetëror”.
Në reagimin e tij, Veliaj thekson se u deshën 31 orë që autoritetet të njoftonin se vendimi ishte sekret, duke pretenduar se kështu po i mohohet mundësia për t’u njohur me aktin dhe për ta kundërshtuar atë në rrugë ligjore.
“U deshën 31 orë që më në fund të na thuhet se vendimi është sekret!
Pra, jo vetëm që nuk na vihet në dispozicion akti, por synohet të na mohohet edhe mundësia për ta njohur, kundërshtuar dhe ankimuar efektivisht atë”, shprehet Veliaj.
Ai e cilëson situatën si kalim nga ajo që e quan arbitraritet në vendimmarrje drejt fshehjes së saj pas sekretit shtetëror.
“Atëherë kalojmë në faqen tjetër të kësaj maskarade: nga arbitrariteti i vendimmarrjes te fshehja e saj pas sekretit shtetëror!”, shkruan kryebashkiaku.
Në fund të reagimit, Veliaj kërkon që t’i vihet në dispozicion autorizimi i kryeministrit, me të cilin, sipas tij, autoritetet janë autorizuar për të klasifikuar vendimin si sekret.
“Na vini në dispozicion autorizimin e Kryeministrit të vendit që ju autorizon si autoritet klasifikues”, përfundon reagimin e tij.


