Nga Auron Tare
CINCINATI
Diku, në pranverën e vitit 458 para Krishtit, dy lajmëtarë të Senatit romak kaluan Tiberin dhe, në një arë të punuar përgjysmë, gjetën njeriun që kërkonin.
Ishte Lucius Quinctius Cincinnatus, gjenerali që ishte tërhequr në pronën e tij dhe punonte tokën me qe, larg zhurmës së Forumit dhe intrigave të politikës romake.
Lajmëtarët iu afruan dhe i dorëzuan mesazhin e Senatit. Roma ishte në rrezik. Ushtria e saj ishte rrethuar nga armiqtë dhe Republika kishte nevojë për një komandant që të merrte menjëherë drejtimin e luftës.
Cincinati la parmendën në arë dhe u nis drejt Romës.
Një turmë qytetarësh, të shqetësuar për fatin e qytetit, e shoqëroi deri në selinë e Senatit. Senatorët u ngritën në këmbë sapo ai u fut në sallë. Zëdhënësi i Senatit lexoi me solemnitet vendimin e Senatorëve. Lucius Quinctius Cincinnatus ishte emëruar Diktator, me pushtet të jashtëzakonshëm për të shpëtuar Republikën.
Cincinati pa humbur kohë, mblodhi ushtrinë dhe mori komandën e legjioneve. Me aftësinë e tij ushtarake, arriti të mposhtte armiqtë dhe të shpëtonte ushtrinë romake. Rreziku kaloi dhe Roma mund të merrte frymë sërish.
Por, pas fitores, shtrohej një pyetje shumë më e madhe se ajo e një beteje.
Cincinati ishte ende Diktator. Pushteti i tij ishte i jashtëzakonshëm. Legjionet fitimtare i bindeshin, ndërsa Republika ia kishte besuar fatin e vet.
Çfarë do të bënte ai me këtë pushtet?
A do ta përdorte fitoren si arsye për të qëndruar në krye? A do të gjente një kërcënim të ri për të justifikuar vazhdimin e sundimit? Apo do të kuptonte se pushteti që i ishte besuar për të shpëtuar Republikën nuk ishte pronë e tij?
Kjo është pyetja që historia ua shtron të gjitha kohërave, Kur një komb i beson një njeriu pushtet të jashtëzakonshëm, si mund të jetë i sigurt se ai do t’ia kthejë atë?
Përgjigjja e Cincinatit, ashtu siç e ka ruajtur tradita romake, ishte e thjeshtë.
«E përmbusha detyrën time ndaj atdheut. E kthej pushtetin që m’u besua dhe kthehem në arën time.»
Historia e Gjeneralit Cincinatius është një nga mësimet më frymëzuese. Një njeri që la parmendën, mori në duar fatet e Romës, mposhti armiqtë dhe, në vend që ta shndërronte fitoren në pushtet personal, u kthye në arën e vet.
Më shumë se dy mijë vjet më vonë, emri i Cincinatit mbetet simbol i një ideali politik që nuk e ka humbur aktualitetin.
Madhështia e një udhëheqësi nuk matet vetëm me pushtetin që arrin të marrë, por edhe me aftësinë për të kuptuar se kur dhe si duhet të heqë dorë prej tij.
Burimi antik: Tit Livi, Historia e Romës, Libri III, kapitujt 26–29.
“CEZARI, Dictator perpetuo”
Në vitin 44 para Krishtit, gjenerali i famshëm Jul Cezari, pas një vargu fitoresh në luftën civile, arriti të shpallej nga Senati “Dictator perpetuo”. Pra, diktator i përjetshëm.
Senati romak, i dobësuar nga lufta e gjatë civile dhe i gjunjëzuar përballë legjioneve fitimtare të Cezarit, nuk kishte më forcën për t’iu kundërvënë vullnetit të gjeneralit. Institucioni që dikur kishte qenë zemra e Republikës po i nënshtrohej gjithnjë e më shumë autoritetit të një njeriu të vetëm.
Cezari kishte fituar betejat, kishte mposhtur rivalët dhe kishte arritur të impononte vullnetin e tij mbi Romën. Por, mes gjithë atyre fitoreve, duket se nuk arriti të kuptonte një të vërtetë të vjetër sa vetë pushteti, se Ti mund të sundosh mbi njerëzit me forcë, por nuk mund ta bësh të përjetshëm pushtetin tënd vetëm duke e përqendruar atë në duart e tua.
Jul Cezari kishte triumfuar në Gali, kishte luftuar në Egjipt dhe kishte mposhtur kundërshtarë të shquar të Romës. Kishte mundur Pompeun ne Farsala. Legjionet i bindeshin, Senati mund të votonte sipas vullnetit të tij dhe Roma mund të përkulej përpara autoritetit të tij. Por jo të gjithë ishin të gatshëm ta pranonin fundin e Republikës dhe përqendrimin e pushtetit në duart e një diktatori të përjetshëm.
Dhe kështu, në Ides e Marsit, të vitit 44 para Krishtit, gjenerali fitimtar u vra brenda Senatit, nga një grup senatoresh që Ai vete i kishte pasur pranë.
Historia e tij mbetet një nga paradokset e mëdha të politikës. Nje Diktator qe pushteti e shpalli të përjetshëm por u vra sepse besoi se nga pushteti mund të mos largohej kurrë.
Pikturat

Cincinatius nga Xhovani Batista Tiepolo

Vrasja e Cezarit ne Senat. nga Vincenzo Camuncini