Egnatia ka triumfuar me rezultatin 1-0 ndaj Teutës në ndeshjen e fundit të fazës së parë të “Abissnet Superiore”, duke marrë kreun e renditjes pas një përballjeje të luftuar në “Egnatia Arena”.
Përballja mes dy skuadrave pretendente për kreun e kampionatit nisi me ritëm të kujdesshëm, teksa vendasit u shfaqën më kërkues në fushën e lojës, ndërsa Teuta u përqendrua në organizimin e mbrojtjes. Pavarësisht përpjekjeve, pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, në shifrat 0-0.
Goli që vendosi fatin e takimit erdhi në pjesën e dytë. Egnatia ndërtoi një aksion të shpejtë, me Grudën që shërbeu për Adjesanin. Ky i fundit u tregua i saktë para portës, duke mposhtur portierin Bernardoni dhe duke i dhënë avantazhin skuadrës rrogozhinase.
Pas golit, të dyja ekipet kërkuan të ndryshonin rezultatin. Teuta u përpoq të reagonte, ndërsa Egnatia synoi të administronte avantazhin dhe të shfrytëzonte hapësirat e krijuara. Megjithatë, shifrat mbetën të pandryshuara deri në vërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit Juxhin Xhaja.
Kjo fitore merr një rëndësi të veçantë për Egnatian, e cila ngjitet në vendin e parë të “Abissnet Superiore” me 21 pikë pas nëntë javësh kampionat. Teuta, nga ana tjetër, zbret në vendin e dytë me 20 pikë.
