VIDEO/ Pacolli: Pa Ibrahim Rugovën, Kosova nuk do ta kishte atë peshë në Perëndim

22:23, 29/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka vlerësuar rolin e Ibrahim Rugovës në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë, duke deklaruar se pa të, Kosova nuk do ta kishte pasur të njëjtën peshë dhe besim në Perëndim. Në intervistën për ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, Pacolli e cilësoi Rugovën liderin e tij politik dhe shpirtëror, ndërsa tha se besimi te Kosova ishte ndërtuar mbi figurën e tij.

I pyetur nga gazetari Çim Peka nëse Kosova do të ishte sot shtet pa idenë e Ibrahim Rugovës për pavarësinë, Pacolli tha se shtetformimi ishte rezultat i kontributit të disa figurave dhe faktorëve, duke përfshirë edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas tij, Rugova kishte mbështetur edhe forcat luftarake të Kosovës përmes fondeve të mbledhura nga diaspora. Pacolli deklaroi gjithashtu se kishte pasur takime mes Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit.

Megjithatë, kur Peka e pyeti nëse Kosova do ta kishte pasur të njëjtën peshë në Perëndim nëse në vend të Rugovës do të ishte një prej politikanëve të sotëm të Kosovës, Pacolli u përgjigj prerë. ‘Sigurisht që jo. Nuk do ta kishte. Besimi në Kosovë është bazuar në shtyllën e Ibrahim Rugovës. Atje është krijuar besimi. Te ai.’

Pjesë nga intervista e Behgjet Pacollit:

Çim Peka: Zoti Pacolli... kthehemi te natyra në Kosovë dhe keni vendosur të angazhoheni politikisht. A keni pasur një lider politiko-kosovar të preferuar, në mendjen tuaj?

Behgjet Pacolli: Gjithmonë e kam pas Ibrahim Rugovën. Ibrahim Rugova për mua ka qenë, edhe normalisht mbetet lideri politik, domethënë, lideri shpirtëror, politik i imi. Edhe unë kam shkuar... thonë njerëzit se ai nuk më ka dashtë mua. Unë kam pasur shumë marrëdhënie të mira me presidentin Rugova. Këtë mund t'ju konfirmon edhe Adnan Merovci, i cili ka qenë i afërt shumë me të. Unë kam pasur marrëdhënie shumë të mira, unë kam shkuar në familjen e Rugovës atëherë kur njerëzit më kanë thënë se Rugova nuk e don këtë, edhe kanë folur se e dini si, se secili...

Çim Peka: A e keni paragjykuar Ibrahim Rugovën për takimin me Millosheviçin?

Behgjet Pacolli: Unë? Jo. Për arsye se këto pyetje m'i bëjnë shumë shpesh. Unë gjithmonë nisem nga ajo, çdo gjë që ka përfunduar me sukses, absolutisht, mënyrën se si e ka zgjedhë ai me e bë, edhe si e ka bë, nuk është më me rëndësi, do të thotë është suksesi. E atë e respektoj. Do të thotë ai gjithmonë ka pasur të drejtë, nëse kemi arritur te ai sukses. Edhe pse ndoshta, mundemi me thënë sot, se ndoshta ta kishim marrë një shkurtesë, një rrugë tjetër, më të shkurtër, ose ndryshe, ndoshta nuk do të ishte ndryshe.

Çim Peka: Keni eksperiencë të jashtëzakonshme në biznes, edhe e vetë është politikë, po edhe njohja e politikës të pafund, ndoshta shqiptare, që keni njohur më shumë realisht... A e keni pyetur ndonjëherë veten, pa idenë e Ibrahim Rugovës për Kosovën e pavarur, a do ishte Kosova sot shtet?

Behgjet Pacolli: Shiko. Është një pazëll, që është ndërtuar edhe nga figura tjera. Janë nevojitur edhe figura tjera. Nuk besoj që dikush aludon se Ibrahim Rugova vetëm... nuk ka... Ibrahim Rugova është mbështetur edhe në forcat luftarake të Kosovës, që është UÇK-ja sot. Ibrahim Rugova ka ndihmuar, forcat, prej fondit të qeverisë që diaspora ka... ka...

Çim Peka: Po e bëj ndryshe pyetjen...

Behgjet Pacolli: ...paguar. Do të thotë ai... ai ka ndarë fonde për ta. Edhe jam i bindur, njerëzit nuk e dinë, se ka pasur takime të ndjerit liderit shpirtëror, luftarak... Adem Jasharit me Ibrahim Rugovën.

Çim Peka: Unë po e pyes ndryshe. Nuk dua të hyj nëse Rugova ishte për luftë apo s'ishte për luftë, janë debate që s'kanë për të mbaruar kurrë. Por në momentin që po ndodhte gjithë ajo gjë në Kosovë, dhe Perëndimi do prezantohej me kosovarin e parë, pra me të parin e Kosovës në njëfarë forme, me liderin e tyre... sikur të mos ishte Ibrahim Rugova, po të ishte një prej këtyre politikanëve që kemi aktualisht në tregun e Prishtinës, a do e kishte Kosova atë fat, atë peshë që kishte me Ibrahim Rugovën?

Behgjet Pacolli: Sigurisht që jo. Nuk do ta kishte. Besimi në Kosovë është bazuar në shtyllën e Ibrahim Rugovës. Atje është krijuar besimi. Te ai. Ka qenë shumë i shtirë me e mohu këtë, edhe pse janë mundu ta mohojnë këtë. E dinë mirë pasluftës, e kanë sharë, e kanë fyer... ai ka ecur gjithmonë vertikalisht, ka ecur drejt. Edhe nuk ka dashur as ta kthejë kryet me dëgju kush po e shan atje. Madhështia e tij ka qenë aty. Unë e kam kritikuar Ibrahim Rugovën. E kam kritikuar edhe në gazeta. E kam kritikuar për reforma ekonomike. Për ekonomi e kam kritikuar. Duke menduar që tani ne kemi një shtet, duhet krejt me investu në ekonomi. E mirëpo kur kam hyrë vetë atje, në politikë, e kam parë që ishte e pamundur krejt, me lëviz atë që unë doja ta lëvizi. M'ka mbet borxh t'ju them pse kam hy në politikë. Sinqerisht ju them, as s'kam shkuar për përfitimet e mia, as nuk kam shkuar për ndonjë promovim, unë kam qenë i promovuar në perëndim, por kam shkuar vetëm për një arsye: kam menduar se nëse shkoj do të ndryshoj shumëçka. Kam menduar se kontributi im në Kosovë do t'i shkojë në favor, ka nevojë për kontributin tim...

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco