Prestigjiozja amerikane “The Washington Post” i ka bërë jehonë situatës së krijuar në Kuvendin e Shqipërisë gjatë seancës së sotme, ku deputetët e opozitës ndezën flakadanë, ndërsa maxhoranca ndërpreu diskutimet dhe kaloi drejtpërdrejt në votimin e projektligjeve.
Media amerikane e lidh tensionin në Parlament me protestat e zhvilluara prej javësh kundër qeverisë, ku studentët i kërkojnë kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen dhe kanë refuzuar të zhvillojnë dialog me të.
“Ligjvënësit e opozitës në Shqipëri ndërprenë një seancë parlamentare duke ndezur flakadanë, pas disa javësh protestash kundër qeverisë. Në Shqipëri dhe në vende të tjera evropiane janë zhvilluar protesta për shkak të pakënaqësisë lidhur me çmimet e karburanteve, shkollat, shërbimet publike dhe strehimin”, shkruan “The Washington Post”.
Në raportimin e saj, media amerikane përmend edhe pakënaqësitë që lidhen me korrupsionin, skandalet që kanë përfshirë qeverinë, vështirësitë ekonomike dhe cilësinë e shërbimeve publike. Sipas përshkrimit të saj, shqetësimet për të ardhmen janë veçanërisht të pranishme te të rinjtë në Shqipëri.





