Një skelet i rrallë i Nanotyrannus, një i afërm më i vogël i T. rex, është shitur në ankandin e organizuar nga Sotheby’s në Nju Jork për 47.3 milionë dollarë, pas një gare ofertash prej 12 minutash mes gjashtë blerësve.
Ekzemplari, i quajtur Jodi, është një nga vetëm tre skeletet relativisht të plota të Nanotyrannus që njihen nga shkenca. Shitja e tejkaloi ndjeshëm vlerësimin fillestar prej 6 deri në 9 milionë dollarësh dhe për pak nuk arriti rekordin e ankandit për një fosil, të vendosur në korrik me shitjen e Gus, një skelet i jashtëzakonshëm i T. rex, i cili u shit për 50.1 milionë dollarë, shkruan CNN.
Jodi është 2.92 metra i lartë dhe 5.97 metra i gjatë, pra pak më shumë se gjysma e gjatësisë së Gus. Mungesa e ekzemplarëve të ngjashëm ka të ngjarë të ketë luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e çmimit të shitjes.
Vetë ekzistenca e species Nanotyrannus është objekt debatesh të forta në paleontologji. Vetëm kohët e fundit studiuesit kanë anuar drejt përfundimit se Nanotyrannus duhet konsideruar një dinosaur më vete dhe jo një ekzemplar i ri në moshë i T. rex.
Sipas Sotheby’s, fosili është ruajtur në mënyrë të jashtëzakonshme. Ai përbëhet nga 191 elemente kockore dhe përfshin një kafkë “pothuajse të plotë”.
Skeleti u zbulua në vitin 2019 nga fermerja e Montanës, Jodi Pierson, e cila frymëzoi edhe emrin e tij, ndërsa gërmimet për nxjerrjen e tij u kryen nga Clayton Phipps, një paleontolog që merret me kërkime komerciale dhe njihet me nofkën “Kauboji i Dinozaurëve”.
Ashtu si disa fosile të tjera të rëndësishme të shitura më parë në ankande, Jodi vjen nga formacioni gjeologjik Hell Creek, një zonë e pasur me fosile që shtrihet në Montana, Wyoming dhe Dakotat. Një nga skeletet e para të T. rex u zbulua aty në vitin 1902 dhe emri T. rex iu dha species bazuar në fosilet e gjetura në këtë zonë.

Në vitin 2006, në një distancë të shkurtër nga vendi ku u zbulua Jodi, Phipps kishte nxjerrë në dritë fosilin e famshëm “Dueling Dinosaurs” (Dinosaurët në Duel), i cili ndodhet sot në Muzeun e Shkencave të Natyrës në Karolinën e Veriut, në Raleigh. Ai përmban dy skelete që duket se janë kapur në një përleshje mes tyre: një Triceratops dhe një tiranozaur më të vogël, i identifikuar tashmë si Nanotyrannus.
Skeleti i tretë i njohur i Nanotyrannus është Jane, gjithashtu i zbuluar në Hell Creek. Ai ruhet në Muzeun e Historisë Natyrore Burpee, në Rockford të shtetit të Illinois.
Bazuar në përmasat e përgjithshme dhe zhvillimin e kockave, Jodi është një ekzemplar i rritur, sipas Sotheby’s. Kockat që mungojnë janë zëvendësuar me elemente të posaçme të prodhuara me printim 3D dhe të skalitura. Fosili u ofrua për shitje me “të drejta të plota”, që do të thotë se nuk përmban elemente të mbrojtura nga të drejtat e autorit, të marra nga skelete të dinosaurëve të tjerë. Për rrjedhojë, pronari i ri, identiteti i të cilit nuk dihet, mund të krijojë kopje të skeletit dhe t’ua shesë ato muzeve ose koleksionistëve.
Shitjet e fosileve të dinosaurëve me vlera të larta kanë shkaktuar kritika të forta nga shkencëtarët, pasi ato i largojnë ekzemplarët nga sfera publike dhe i bëjnë të paarritshëm për studime shkencore.
“Ne sapo kemi zbuluar se Nanotyrannus është një specie reale dhe tani një nga skeletet më të mira të tij po shitet te ofertuesi më i lartë”, tha në një email Steve Brusatte, profesor i paleontologjisë dhe evolucionit në Universitetin e Edinburgut në Skoci. “Është tronditëse të mendosh se ai mund të zhduket në kasafortat e një koleksionisti, në vend që të ekspozohet në një muze, ku mund të mahnisë dhe frymëzojë fëmijët, familjet dhe publikun e gjerë.”
David Hone, paleontolog dhe pedagog i zoologjisë në Universitetin Queen Mary të Londrës, tha se ishte shumë i habitur që Jodi u shit për një shumë shumë më të lartë se vlerësimi fillestar.
“Duket sikur kemi të bëjmë me një flluskë çmimesh për dinosaurët, e cila duhet të shpërthejë në një moment. Çmimet nuk mund të vazhdojnë të rriten përgjithmonë”, shtoi ai në një email.
“Sa i përket vlerës së mundshme shkencore të këtij ekzemplari, është shumë e vështirë të thuhet pa një studim të mirëfilltë dhe të verifikuar nga ekspertët”, tha Hone. “Do të habitesha shumë nëse ky ekzemplar do të përfundonte në një koleksion publik dhe do të ishte i disponueshëm për studime. Deri në atë moment, ai praktikisht mbetet jashtë fushës së shkencës.”