Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Formohet komisioni hetimor për vrasjen e Zekajt – miratohen Ligji për Byronë dhe ndryshimet buxhetore

Seanca e Kuvendit nis me solidarizim me gratë me kancer të gjirit

Foto: Driton Paçarada

Formohet Komisioni hetimor parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt

11 o. më parë / 29 tet 2026 14:21
Formohet Komisioni hetimor parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt

Photo: Driton Paçarada

Me 90 vota për, Kuvendi ka themeluar Komisionin hetimor parlamentar për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Komisioni do t’i ketë 11 anëtarë e mandat maksimal gjashtë muaj. Kryetar i Komisionit do të jetë Burim Ramadani i Aleancës, ndërsa zëvendëskryetar Adnan Rrustemi i Vetëvendosjes. Anëtarë të tjerë do të jenë Armend Baloku, Arijeta Rexhepi, Osman Musliu dhe Adelinë Tërshani nga VV-ja, Besa Kabashi-Ramaj dhe Eman Rrahmani nga PDK-ja, Doarsa Kica-Xhelili nga LDK-ja dhe Jovana Radosavljeviq e Emilija Rexhepi nga komunitetet.

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se duhet të ketë më shumë institucione që të jenë objekt i hetimit të komisionit, përfshirë ministritë të Punëve të Brendshme dhe ajo e Drejtësisë.

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, në seancë u shpreh se është e gatshme të vihet në dispozicion të këtij komisioni.

Zekaj u vra më 25 tetor nga ish-kunati i saj, ndërsa vetëm tri ditë më herët i kishte shkruar letër institucioneve duke alarmuar se jeta e saj po rrezikohej.

Miratohet Ligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë

11 o. më parë / 29 tet 2026 14:01
Miratohet Ligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë

Photo: Driton Paçarada

Kuvendi ka miratuar Ligjin për Byronë e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.

Pro në lexim të dytë votuan 66 deputetë. Asnjë nuk votoi kundër e shtatë abstenuan.

Para votimit, deputetja Doarsa Kica-Xhelili e LDK-së u shpreh se byroja është një “monstrum politik”. Ajo tha se mes dy leximesh nuk janë bërë intervenimet për ta bërë të drejtë Byronë.

“Sot kjo byro nuk është ajo që do t’i luftojë peshqit e mëdhenj. Ka dy rreziqe madhore, do të përdoret si shantazh politik, por do të pengojë ndjekjen penale të atyre që realisht kanë vjedhur”, ka thënë ajo.

E ngjashëm reagoi edhe Besnik Tahiri i Aleancës. Ai u shpreh se ligji siç është tash bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet.

Ndaj ligjit në fjalë edhe organizata të shoqërisë civile patën thënë se përbën shkelje. 

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ia kishte rrëzuar Qeverisë Kurti dy herë Ligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, së pari më 2024 dhe pastaj në fillim të këtij viti.

Ky ligj synon që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ka dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Miratohen ndryshimet në buxhetin 2026, përfshirë atë për pagën e 13-të

12 o. më parë / 29 tet 2026 13:16
Kuvendi

Photo: Driton Paçarada

Me 62 vota për Kuvendi ka miratuar rishikimin e buxhetit për vitin 2026. Propozimi përfshinte 7 amendamente. Mbështetjen e morën dy prej tyre. Nuk u mbështetën amendamentet e propozuara nga opozita.

Në debatin para votimit, deputeti i Lidhjes Demokratike, Avdullah Hoti, e ka cilësuar propozimin e Qeverisë “mbulesë për 120 milionë euro, për të cilat u vendos në fillim të vitit”. Ai ka thënë se ligji ka dy probleme – “proceduralisht dhe përmbajtësisht”.

E deputetja tjetër e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se Ministria duhet ta sqarojë se ndryshimi është për të mbuluar pagën e 13-të që është ndarë në fillim të vitit sivjet.

Teuta Haxhiu e Aleancës i ka cilësuar dinakëri të ministrit të Financave, Hekuran Murati, ndryshimet e propozuara ligjore.

Të gjitha u mohuan nga ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Paga e 13-të është e paraparë në buxhet dhe është paguar. Kjo që po ndodh është mbulimi i hendekut nga alokimi i parakohshëm ashtu siç e ka paraparë Ligji i Buxhetit. E paga e 13-të për vitin e ardhshëm paguhet në fillim të vitit të ardhshëm”, ka thënë Murati duke thënë se ndryshimet ndikojnë në çështjen e pagesës së përvojës së punës retroaktivisht.

Ndaj tij reaguan sërish deputetët.

“Je abuzuesi më i madh që ka pasur ndonjëherë Qeveria e Kosovës”, iu përgjigj Hoti Muratit, të cilin e quajti edhe gënjeshtar.

Hoti dhe Arben Mustafa e kanë kritikuar Qeverinë për kërkesën për ndarjen e dividentave nga kompanitë publike.

E Bajrami përgjigjen e Muratit e cilësoi “keqplanifikim të planifikuar”.

Haxhiu e quajti sërish “mashtrues” Muratin.

Në shtator, Qeveria pati miratuar ndryshimet që parashihnin rialokimin e 102 milionë eurove për pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik dhe për mbulesën e pagesave retroaktive për diferencën e shtesës 0.5 për qind të përvojës së punës, ashtu siç e ka paraparë Gjykata Kushtetuese.

Vitin e kaluar, Qeveria ndau pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik.

0.5 përqindëshi është shtesa që u bëhet punonjësve të sektorit publik për çdo vit përvojë pune. Pra një punëtor me 10 vjet përvojë përfitonte shtesë 5 për qind mbi pagën bazë. Por kjo shifër u ndërrua me Ligjin për Paga më 2022. Për 15 vjetët e parë ajo u përgjysmua në 0.25 për vit, e më pas u bë 0.5 pas vitit të 15-të. Gjykata e ka shpallur këtë antikushtetues.

Pas kësaj pasuan padi të qytetarëve që kërkonin shtesën retroaktivisht.

Një prej amendamenteve që nxiti më së shumti debat qe ai për mbulimin e protezave për invalidët e luftës. Deputetët nuk e mbështetën propozimin e Komisionit për mirëqenie sociale që të ndahen 1 milionë euro për këtë çështje.

Maqedonci: Ligji për industrinë e mbrojtjes synohet të përfundojë vitin e ardhshëm

14 o. më parë / 29 tet 2026 11:42
Ejup Maqedonci

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se projektligji për industrinë e mbrojtjes planifikohet të përfundojë vitin e ardhshëm, ndërsa koncept-dokumenti për këtë industri pritet të dërgohet në Qeveri për miratim javën e ardhshme,.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetit të Aleancës, Burim Ramadani, lidhur me afatet, buxhetin dhe vonesat në hartimin e kornizës ligjore, Maqedonci tha se fillimisht është dashur të hartohet koncept-dokumenti.

“Draft koncept-dokumenti për industrinë e mbrojtjes është duke u shoqëruar në përputhje me procedurat dhe afatet e përcaktuara për hartimin e dokumenteve strategjike. Për sa i takon, normalisht ligji, fillimisht është dashur të hartojmë koncept-dokumentin për industrinë e mbrojtjes. Grupi punues ka draftuar draftin e parë dhe e ka përfunduar me 27 gusht 2026. Pas konsultimit publik, janë përfshirë komentet e nevojshme dhe dokumenti final është përfunduar këtë javë. Nga java e ardhshme, ne do ta përcjellim në qeveri për miratim dhe më pas do ta sjellim në Kuvend brenda këtij viti në mënyrë që t’i hapë rrugë që qysh në fillim të vitit të ardhshëm, në janar, të miratohet ligji për industrinë e mbrojtjes. Ligjin planifikojmë që ta përfundojmë në vitin e ardhshëm. Janë nga Kroacia, Estonia, SHBA-ja, Sllovenia dhe Shqipëria. Gjatë procesit të draftimit e kemi pasur procesin e Odës Ekonomike Amerikane”, tha ai./eo

Kabashi-Ramaj – Kurtit: Më e pakta që mund të bëni është shkarkimi i dy ministrave

14 o. më parë / 29 tet 2026 11:15
Besa Kabashi-Ramaj

Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar nga kryeministri shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe ministres së Drejtësisë, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe politike pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Në fjalimin e saj në Kuvend, Kabashi-Ramaj tha se Arlinda kishte kërkuar ndihmë dhe kishte paralajmëruar institucionet se jeta e saj ishte në rrezik, por shteti nuk kishte arritur ta mbronte.

Duke iu drejtuar kryeministrit, ajo kujtoi afatin prej 72 orësh që, sipas saj, ai vetë e ka kërkuar për llogaridhënie.

“Nëse sot nuk kemi raport të plotë, përgjegjësi të identifikuara dhe masa konkrete, atëherë çfarë vlere ka fjala e kryeministrit? Më e pakta që mund të bëni është shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme dhe ministres së Drejtësisë”, deklaroi Kabashi-Ramaj.

Ajo theksoi se ministrat duhet të mbajnë përgjegjësi edhe kur institucionet që drejtojnë dështojnë.

“Ministrat nuk janë aty vetëm për të drejtuar institucione kur gjithçka shkon mirë. Janë aty për të mbajtur përgjegjësi edhe kur sistemi dështon”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së akuzoi qeverinë për mungesën e rezultateve në mbrojtjen e grave.

“Siguria kombëtare nuk fillon vetëm në kufijtë tanë. Fillon në shtëpitë tona. Në rrugët tona. Në të drejtën e çdo vajze për t’u rritur pa frikë dhe të çdo gruaje për të jetuar e lirë”, u shpreh ajo.

Në përfundim, ajo kërkoi nga kryeministri veprime konkrete dhe marrjen e përgjegjësisë për dështimet institucionale.

“Mos kërkoni më kohë për të shpjeguar dështimet. Merrni përgjegjësinë për t’i korrigjuar ato. Sepse një Republikë që nuk i mbron gratë e vajzat, ende nuk e ka përmbushur premtimin e lirisë së saj”, përfundoi Kabashi-Ramaj.

Haxhiu i kërcënon duhanpirësit e Kuvendit me Inspektorat

14 o. më parë / 29 tet 2026 11:13 Nga: Valbona Bytyqi
kuvendi

Photo: Driton Paçarada

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka paralajmëruar deputetët të cilët konsumojnë duhan brenda hapësirave të Kuvendit se do t’ua thërrasë Inspektoratin.

Ajo ka thënë se kjo është thirrja e fundit, që ata ta respektojnë ligjin të cilin e kanë miratuar vetë.

“Kërkoj nga deputetët që ta respektojnë ligjin që e kanë miratuar vet. Që në ambiente të Kuvendit të mos pinë duhan. Është thirrja e fundit, prandaj ju lutem që të keni parasysh. Është thirrja e fundit dhe në qoftë se kjo thirrje nuk respektohet do të kërkojë nga inspektorati që të vijë”, ka thënë ajo.

Ymeri kërkon kushtëzimin e buxheteve komunale: Mos ta kenë buxhetin pa pasur kodin buxhetor për gratë

14 o. më parë / 29 tet 2026 11:10
Janina Ymeri

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka kërkuar të kushtëzohen buxhetet komunale, duke detyruar ato të kenë kod të vetin buxhetor për banimin për gratë e dhunuara. 

Ajo ka thënë se kjo është dakorduar edhe dje në Komisionin për të drejtat e njeriut, barazi gjinore dhe peticione. 

“Asnjë komunë mos të ketë buxhetin e vetë komunal, pa e pasur kodin buxhetor për gratë, varësisht prej rasteve që i ka pasur apo një formulë tjetër përcaktuese”, tha Ymeri në seancën e Kuvendit. 

Ajo ka thënë po ashtu se pikë tjetër është edhe mungesa e kapaciteteve policore për ruajtjen e grave nga burrat dhunues. Ajo ka thënë se duhet shqyrtuar mundësia. 

“Çka mundemi me bë është kushtëzimi i buxheteve komunale, me miratimin e gjithë deputetëve që janë në sallë”, tha Ymeri.  
 

Protestuesit kërkuan shkarkimin e Gërvallës dhe Sveçlës, deputeti i VV-së thotë se i mbështet protestat

14 o. më parë / 29 tet 2026 11:06
Artan Abrashi

Photo: Driton Paçarada

“Kjo është mizori e jo drejtësi”, ka thënë deputeti i Vetëvendosjes Artan Abrashi për dështimin e institucioneve në rastin e Arlinda Zekajt, që u vra pak ditë pasi paralajmëroi me letër institucionet e sigurisë për rreziqet ndaj saj.

Ai ka bërë thirrje që të nisin menjëherë procedurat përkatëse ndaj zyrtarëve që kanë kryer shkelje në këtë rast.

Abrashi ka thënë se VV-ja i mbështet protestat.

“Asnjë minutë më shumë. E mbështesim protestën. Revolta qytetare e atyre që protestojnë aktivisht dhe në heshtje është e drejtë, e domosdoshme dhe udhërrëfyese. Të mos heshtim. Të mos dorëzohemi. Të luftojmë deri të ndryshojë kjo gjendje”, ka thënë ai në Kuvend.

E në Prishtinë një ditë më parë u protestua pas rastit të Zekajt. Protestuesit kërkuan shkarkimin e ministrave të Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe atij të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Simiq kërkon përgjegjësi të institucioneve që dështuan ta mbrojnë Arlinda Zekajn

14 o. më parë / 29 tet 2026 10:57
Igor Simiq

Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë se duhet kërkuar përgjegjësi të institucioneve që kanë neglizhuar rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj të dielën, tri ditë pasi kishte paralajmëruar se mund të vritej. Ai ka përshëndetur Rezolutën e miratuar në Kuvend të hënën, për mbrojtjen e grave. 

Simiq në seancën e Kuvendit ka thënë se duhet punuar në edukimin e të rinjve. 

“Duhet të punohet me të rinj, të kuptojnë se gratë vlejnë njëjtë sa burrat. Po ashtu të merren masa parandaluese të mos vijmë në situata të tilla”, tha Simiq. 

Ai ka bërë thirrje për përgjegjësi të gjitha institucioneve që kanë dështuar në mënyrë që vajza e gra të tjera të mos e kenë fatin e njëjtë si Arlinda Zekaj. 

Tahiri akuzon Vetëvendosjen se po tenton të përfitojë politikisht nga vrasja e Zekajt

14 o. më parë / 29 tet 2026 10:51
Besnik Tahiri

Photo: Driton Paçarada

Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës, ka akuzuar deputetë të Vetëvendosjes se po tentojnë të përfitojnë politikisht nga vrasja e Arlinda Zekajt, duke i ndërlidhur emrat e udhëheqësve të Aleancës me të dyshuarin.

Zekaj u vra ditë më parë ndërsa i dyshuar është kunati i saj. Ajo u vra pak ditë pasi denoncoi në institucione kërcënimet nga bashkëshorti e pak ditë pasi çoi letër te institucionet e sigurisë duke kërkuar mbrojtje.

Në drejtim të deputetit të VV-së, Taulant Kelmendi, Tahiri ka thënë se ai ka bërë përpjekje që ta lidhë të dyshuarin me udhëheqësit e AAK-së pasi janë parë në një fotografi e në drekë të përbashkët.

Ai akuzoi edhe deputeten Arjeta Fejza që tha se ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, është përfolur për dhunë në familje.

“Përfitimi i ulët politik i cili synohet të fitohet nga një tragjedi e cila ka goditur secilin njeri normal në këtë vend. Është e ulët që në çfarëdo rrethane, pa pasur evidencë, secili prej nesh e prej jush të mundohet të përfitojë politikisht nga një tragjedi, nga një trup që ende s’ka qenë në dhe”, u shpreh Tahiri në foltoren e Kuvendit.

Reshitaj: S’na duhen ligjet e strategjitë kur një grua nuk merr mbrojtje kur i duhet

14 o. më parë / 29 tet 2026 10:47
reshitaj

Albena Reshitaj, deputete e LDK-së, ka thënë se vrasja e Arlinda Zekajt i ka tronditur të gjithë. Por, sipas saj, edhe më tronditëse janë provat që po paraqiten pas rastit.

Derisa ka përmendur disa raste të vrasjes së grave, ajo ka deklaruar se nuk mjaftojnë ligjet e strategjitë, kur një grua nuk merr mbrojtje kur ajo e kërkon.

“Po publikohen audioincizime ku Arlinda dëgjohet duke iu lutur zyrtarit policor, por ai përgjigjet se nuk është i obliguar të merret me ty. Çfarë sigurie mund të ndiejë një grua që kërkon ndihmë nga shteti, nëse përgjigjja që merr është se askush nuk është i obliguar të merret me të?”, ka thënë ajo.

Reshitaj ka përmendur edhe vrasjen e Hamide Gashit në QKUK. Ajo ka pyetur se çfarë ka ndodhur me zyrtarët e përfshirë në rast, të cilët e kishin për detyrë ta mbronin.

Ajo ka ngritur gjithashtu pyetjen nëse institucionet po arrijnë t’i mbrojnë qytetarët kur ata kanë më së shumti nevojë.

“Nuk mjafton të miratojmë ligje e strategji kur një grua që kërkon mbrojtje nuk e merr atë në kohë dhe kur ka nevojë. Kërkoj që institucionet përgjegjëse të raportojnë për veprimet e ndërmarra në këto raste”, ka thënë ajo.

Rrustemi: Sulmet e Serbisë pas vendimit në Hagë duhet marrin përgjigjen e duhur nga Republika e jonë

15 o. më parë / 29 tet 2026 10:42
Adnan Rrustemi

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se nisja e punës së Grupit punues për strategjinë shtetërore të Apelit për vendimin e Speciales në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tregon se Kosova nuk mund të qëndrojë pa vepruar ndaj proceseve që tjetërsojnë historinë e çlirimit të saj. 

“Ne do të jemi pjesë e këtij angazhimi me bindjen që e kemi mbrojtur vazhdimisht, UÇK-ja nuk ka nevojë për rehabilitim historik. Lufta e saj ishte luftë për liri. Drejtësia ka për detyrë t’i gjykojë individët sipas provave, pa e shndërruar historinë e çlirimit në objekt të një fajësije kolektive. Serbia duhet ballafaquar me gjenocidin, sulmet e saja pas vendimit në Hagë duhet të marrin përgjigjen e duhur nga Republika e jonë. Kemi para vetes betejë komplekse, na nevojitet bashkërendim, bashkëpunim, bashkëveprim – sot më shumë se kurrë”, tha Rrustemi në seancën e Kuvendit. 

Grupi punues për hartimin dhe harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara ka mbajtur mbledhjen konstituive të martën.

Qeveria më 14 tetor formoi grupin punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në rastin e katërshes së UÇK-së.

Më 16 shtator, Specialja në shkallë të parë dënoi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin me 81 vjet heqje lirie, për krime lufte.
 

PDK-ja paraqet tri kërkesa për mbrojtjen e grave

15 o. më parë / 29 tet 2026 10:37
Ganimete Musliu

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kërkuar llogaridhënie institucionale dhe tri veprime urgjente për mbrojtjen e grave nga dhuna, gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës në seancën e sotme të Kuvendit.

Duke folur për vrasjen e Arlinda Zekajt, Musliu tha se ky rast është dëshmi e dështimit të sistemit për të mbrojtur jetën e grave. Zekaj u vra ditë më parë, tre ditë pasi me letër kërkoi nga institucionet që të mbrohet.

Musliu bëri të ditur se të martën ka kërkuar që drejtori i Policisë të ftohej për raportim në Komisionin për Siguri lidhur me rastin, por, sipas saj, anëtarët e Vetëvendosjes kishin votuar kundër.

Në emër të PDK-së, Musliu kërkoi rishikimin urgjent të rasteve me rrezik të lartë dhe koordinimin e menjëhershëm ndërmjet Policisë, Prokurorisë dhe shërbimeve sociale për identifikimin dhe mbrojtjen e grave të rrezikuara.

“Urdhri i mbrojtjes duhet të jetë siguri në praktikë, jo thjesht një dokument i vdekur në letër”, ka thënë ajo.

Kërkesa tjetër e PDK-së, sipas Musliut, është specializimi dhe forcimi i llogaridhënies institucionale. Ajo kërkoi krijimin e skuadrave të specializuara brenda Policisë për vlerësimin e rrezikut në rastet e dhunës në familje, si dhe shkarkim të menjëhershëm e ndjekje penale për çdo zyrtar shtetëror që neglizhon sinjalet e dhunës, përfshirë policët, prokurorët, gjyqtarët dhe punëtorët socialë.

“Neglizhenca përballë dhunës nuk është gabim procedure, është bashkëfajësi në krim”, u shpreh Musliu.

Në kuadër të kërkesës për reformë ligjore dhe buxhetore, deputetja kërkoi rishikimin e dënimeve për vrasjet me motive të ulëta gjinore dhe sigurimin e financimit të qëndrueshëm për strehimoret.

“Një grua që largohet nga dhuna nuk duhet të detyrohet të zgjedhë ndërmjet sigurisë dhe mbijetesës ekonomike”, deklaroi ajo.

Musliu theksoi se këto kërkesa përbëjnë detyrime kushtetuese ndaj qytetarëve. Ajo tha se PDK-ja do ta përsërisë kërkesën për raportim të drejtorit të Policisë dhe do të insistojë që çështja të ndiqet institucionalisht, me afate dhe rezultate të verifikueshme.

Deputetja kërkoi gjithashtu luftimin e paragjykimeve që relativizojnë dhunën dhe të mentaliteteve që ushqejnë ndjenjën e pronësisë mbi gruan, duke bërë thirrje për angazhim të përbashkët të burrave dhe grave kundër dhunës.

“Ndryshimi i vërtetë nuk matet me numrin e fjalimeve patetike që mbajmë në këtë foltore, as me inate partiake, por me jetët që arrijmë të mbrojmë në terren. Fjalët nuk shpëtojnë jetë, veprimet po”, përfundoi Musliu.

Seanca e Kuvendit nis me solidarizim me gratë me kancer të gjirit

15 o. më parë / 29 tet 2026 10:29
Seanca e Kuvendit nis me solidarizim me gratë me kancer të gjirit

Photo: Driton Paçarada

Me shalle ngjyrë rozë, deputetët e Kuvendit të Kosovës janë solidarizuar me gratë dhe vajzat e prekura nga kanceri i gjirit.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka bërë thirrje që gratë të kontrollohen rregullisht duke thënë se sa më herët që zbulohet sëmundja, gjasat janë më të mëdha për shërim.

“Muaji i ndërgjegjësimit, i tetorit, po mbaron, por kujdesi s’duhet të mbyllet me kaq. Kur sëmundja zbulohet herët shanset për shërim janë shumë më të mëdha dhe shpesh këtë dallim e bën një kontroll që zgjat vetëm pak minuta. Thirrja jonë mbetet e njëjtë edhe pas tetorit dhe u drejtohet të gjitha grave: ju lutem bëni kontrolle me kohë dhe shkoni rregullisht te mjeku. Sot solidarizohemi me gratë që po përballen me këtë sëmundje dhe familjet e tyre. Për institucionet kujdesi për shëndetin e grave është detyrim i përhershëm”, ka thënë ajo në hyrje të seancës parlamentare.