Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Patriarkati i veshur me pushtet - Konfront

Jashari: Fat në fatkeqësi që Arlinda dokumentoi gjithçka

4 o. më parë / 29 tet 2026 21:38
Nazim Jashari

Nazim Jashari, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës ka thënë se rastet sikur vrasja e Arlinda Zekajt, i ndodhin shteteve të reja sikur Kosovës të cilat e marrin përsipër vetë ta ndërtojnë demokracinë.

Megjithatë sipas Jasharit është fat në fatkeqësi që Arlinda na këtë rast e ka shkruar vetë kronologjinë e situatës së saj me anë të së cilës ka treguar qartë për zbatimin e përgjegjësisë të të gjitha institucioneve të cilave i është drejtuar.

“Kosova është një shtet i ri, një shoqëri e re e cila e ka marrë përsipër vetë ta ndërtojë demokracinë, por demokracia nuk funksionon pa zbatim të ligjit. Zbatimi i ligjit në demokraci kërkon shtrirje të autoritetit nga koka e deri në fund. Ai autoritet duhet të jetë i tillë që të mos lë hapësira për demobilizim te ata që janë në kontakt të drejtpërdrejt me qytetarin. Në rastin e Arlindës po na shfaqet pikërisht kjo. Është fat në fatkeqësi që e ndjera e kishte bërë një kronologji të mrekullueshme të fatit të vetë”, ka deklaruar Jashari.

Jashari ka thënë se secili prej nesh është i tmerruar nga ajo që po shohim, veçanërisht për faktin se Arlinda nuk shkoi pa dokumentuar gjithçka që i ndodhi nga ata që thirren në zbatim të ligjit.

“Ajo e kishte përshkruar në mënyrë kronologjike vdekjen e saj duke kontaktuar me zyrtarët e zbatimit të ligjit. Për fat në fatkeqësi edhe i kishte filmuar, i kishte regjistruar e dokumentar ata dhe tash neve po na shfaqen e po na tmerrojnë. Kushdo që nuk është i mahnitur me politikën, është i tmerruar në këtë situatë. Si është e mundur që një grua që e ka marrë përkrahjen ligjore në Gjykatë për t’u kthyer në shtëpinë e saj, për ta marrë në prehër fëmijën e saj, nuk i lejohet zbatimi i këtij ligji”, është shprehur Jashari.

Zekaj u vra më 25 tetor dhe si i dyshuar për vrasje është arrestuar ish-kunati i saj, Albert Sylaj, Ndërkohë që ish-bashkëshorti i Zekajt, Jeton Sylaj, ditën e vrasjes ishte ndaluar nga organet e rendit pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës. 

Vetëm tri ditë para se të vritej Zekaj i kishte shkruar letër kryeprokurores së Pejës duke i treguar se jeta e saj po rrezikohej.

Rexhaj: Institucionet në Kosovë e respektojnë të fortin

5 o. më parë / 29 tet 2026 20:49
Xhavit Rexhaj

Profesori Xhavit Rexhaj ka kritikuar mënyrën se si funksionojnë institucionet në Kosovë, duke thënë se ato shpesh u japin përparësi personave me ndikim dhe lidhje, në vend se të garantojnë barazi para ligjit. Duke komentuar rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, ai ka thënë se dallimi mes të fortëve dhe të dobëtve në shoqëri po thellohet.

Rexhaj ka treguar se një shtetas kanadez i kishte thënë në vitin 2001 se në Kosovë “po nderohej miku, e jo ligji”, një vlerësim që, sipas tij, vazhdon të jetë i pranishëm në funksionimin e institucioneve.

“Institucionet, zyrtarët, e nderojnë mikun, të afërmin, shokun, njeriun me të cilin kanë interes e nuk e mbrojnë ligjin. Dhe kjo në këtë mënyrë, kushdo që ka më shumë miq, i ka punët më mirë, kush nuk ka miq, i ka punët më dobët”, ka thënë Rexhaj në “Konfront” të KTV-së. 

Duke folur për rastin e Zekajt, ai ka vlerësuar se pala tjetër kishte më shumë ndikim në polici dhe prokurori, ndërsa Zekaj dhe familja e saj nuk kishin lidhje të tilla, gjë që, sipas tij, i ka vendosur në pozitë më të pafavorshme gjatë procedurave institucionale.

“Edhe në rastin konkret, njëra palë ka qenë e fortë në prokurori e polici dhe pala tjetër, Arlinda dhe familja e saj, s’kanë qenë të fortë, s’kanë pas lidhje, kanë kalu më keq”, ka deklaruar ai.

Rexhaj ka thënë se institucionet nuk po e zbatojnë në mënyrë të barabartë ligjin, por po u japin përparësi atyre që kanë pozitë, ndikim apo lidhje.

“Në Kosovë ke revole, ke muskuj, ke të njohur, je mirë. S’i ke këto, je keq”, ka përfunduar Rexhaj.

Molliqaj: Protestat ndikuan në suspendimet në Pejë

5 o. më parë / 29 tet 2026 20:48
Leonida Molliqaj

Leonida Molliqaj nga organizata QIKA, ka thënë se rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt tregon për dështim të të gjitha hallkave institucionale, duke filluar nga Qendra për Punë Sociale në Pejë e deri te Prokuroria, secili institucion ku Zekaj ka kërkuar ndihmë.

Ajo ka thënë se edhe suspendimet e sotme në Prokurorinë në Pejë dhe të zyrtarëve policorë atje, janë si rezultat i protestave.

Këshilli Prokurorial i ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj dhe Arlinda Nallbani Gacaferrin, prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor. Gjithashtu me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës, u suspenduan 11 policë të stacionit të Pejës.

“Konsiderojmë që nëse nuk protestojmë në këtë rast jo vetëm duke kërkuar suspendime të cilat ndodhën sot e sigurisht që janë rezultat i protestave të grave e organizatave të grupeve joformale feministe, prapë se prapë jemi të pakënaqur sepse besojmë përgjegjësia duhet të jetë politike. Jemi të pakënaqur sepse një shtet nuk duhet të lejojë një ministre si Gërvalla të bëjë deklarata në Kuvend të cilat janë nënçmuese për viktimën dhe familjen e saj dhe për të gjithë aktivizmin feminist, duke thënë se nëse do të kishte ardhur viktima te Qeveria ndoshta do ta ndihmonin. Kjo është dhunë në bazë gjinore, është fajësim i viktimës”, ka deklaruar Molliqaj.

Sa i përket konferencës së paralajmëruar për nesër nga ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për raportin e kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, në lidhje me çdo lëshim institucional në Pejë për vrasjen e Arlinda Zekajt, Molliqaj deklaroi se nuk do të duhej të lejoheshin që Gërvalla e Sveçla të dilnin në publik sepse ata do të duhej të shkarkoheshin nga Kurti.

“Ajo konferencë nuk duhet të ndodhë hiç. Nuk duhet të jetë e mundur që ata dy të dalin në publik. Rasti ka ndodhur në institucione të cilat ata dy i drejtojnë. Arroganca e tyre për rastin është irrituese për neve dhe vetëm sa na bën të organizohemi më shumë dhe të kërkojmë shkarkim të tyre. Kryeministri do të duhej t’i shkarkonte sa më parë”, ka deklaruar Molliqaj në emisionin “Konfront” në KTV.

Kryeministri Albin Kurti u kishte dhënë afat këtyre dy dikastereve deri sot në ora 18:00 për të dorëzuar raportet lidhur me shkeljet që janë bërë në rastin e Arlinda Zekajt.

Ndaj ministrave Gërvlla e Sveçla po kërkohet dorëheqja që dy ditë përmes protestave.