Helikopteri që u rrëzua në Bosnje ishte me ushtarë italianë, reagon Meloni

Meloni reagon pas rrëzimit të helikopterit të EUFOR-it në Brçko: Mendimet e mia janë me familjet e viktimave
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka reaguar pas rrëzimit të një helikopteri të EUFOR-it në Bosnjë e Hercegovinë, pranë Brçkos, ku humbën jetën katër shtetas italianë.
Ajo tha se lajmi për aksidentin tragjik ka shkaktuar dhimbje të thellë, duke shprehur solidaritet me viktimat, familjet e tyre dhe pjesëtarët e misionit që po punojnë për paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Lajmi për aksidentin tragjik të një helikopteri italian të EUFOR-it në Bosnjë e Hercegovinë është shkak për dhimbje të thellë. Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë ata që, të angazhuar në misionin për paqen dhe stabilitetin në rajon, po kalojnë orë ankthi”, deklaroi Meloni.
Ajo shtoi se u përcjell familjeve të viktimave dhe të gjithë të prekurve mbështetjen e saj personale dhe atë të Qeverisë italiane.
Helikopteri u rrëzua të enjten pasdite, rreth orës 16:00, në zonën e Gorices, pranë Brçkos. Sipas raportimeve fillestare, aksidenti ndodhi gjatë një operacioni rutinë të misionit të EUFOR-it.
Fillimisht u raportua për tre persona të vdekur dhe 12 të lënduar, ndërsa më vonë njëri nga të lënduarit ndërroi jetë, duke e çuar numrin e viktimave në katër. Të gjithë të vdekurit dhe të lënduarit janë shtetas italianë.
Nga EUFOR-i është bërë e ditur se ka nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e rrëzimit. Sipas këtij misioni, aksidenti nuk ka shkaktuar dëme në infrastrukturën civile dhe as nuk ka pasur civilë të lënduar.
Helikopteri ishte pjesë e kontingjentit të aviacionit të Ushtrisë italiane, i angazhuar në misionin EUFOR Althea në Bosnjë e Hercegovinë që nga janari i vitit 2026. /Telegrafi/









































