Pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, avokati Gazmend Halilaj ka dalë kundër thirrjeve që ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, të mbajë përgjegjësi politike.
Në një video të publikuar në Facebook, Halilaj tha se hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët që ai i cilëson të dështuar nuk janë emëruar nga qeveria Kurti apo nga Gërvalla. Sipas tij, ata janë trashëguar nga qeveritë e mëparshme, të cilat i lidhi me atë që e quajti “klani Pronto”.
Të lidhura
None found
“Hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët e dështuar nuk na i solli qeveria Kurti e as ministrja Donika Gërvalla, ata i gjetën në mesin tonë të sjellur nga klani Pronto. Paraprakisht të mbushur me diploma e tituj e me pasuri të cilën as vetë nuk e dinë kah e kanë”, u shpreh Halilaj, transmeton “Bota sot”.
Ai pretendoi se thirrjet për llogaridhënie ndaj ministres pasqyrojnë, sipas tij, ngatërrim të fantazisë me realitetin.
“Kërkimi i llogaridhënies dhe përgjegjësisë drejtuar ministres së Drejtësisë, tregon që kanë një konfuzion të madh mes fantazisë dhe realitetit. Shkoni kërkoni llogari tek ata që po i nxjerrin në rrugë. Kush po e kërkon drejtësinë, ata të mbushur me bomba deri dje!…”, deklaroi ai.
Vrasja e Arlinda Zekajt ka shkaktuar reagime të shumta publike dhe protesta. Në to po kërkohet zbardhja e plotë e rastit, si dhe llogaridhënie institucionale për veprimet apo mosveprimet e mundshme të zyrtarëve përgjegjës.





