Gjashtë persona, mes tyre tre fëmijë, kanë mbetur të plagosur pasi një automjet është përplasur me një grup këmbësorësh gjatë një aktiviteti për Halloween-in në Brooklyn, New York. Ngjarja u regjistrua pasditen e së enjtes, më 29 tetor, pranë një stacioni policie, ku ishte organizuar një festë për fëmijët dhe familjet e tyre.

Aksidenti ndodhi pak para orës 16:00, në kryqëzimin e Knickerbocker Avenue me Bleecker Street. Departamenti i 83-të i Policisë kishte organizuar aktivitetin, ku fëmijët ishin veshur me kostume të Halloween-it dhe po merrnin ëmbëlsira.

Sipas policisë, një automjet i zi, i drejtuar nga një 56-vjeçar, doli në trotuar dhe përplasi këmbësorët, përpara se të godiste një ambulancë të parkuar në vendngjarje.

Si pasojë, tre fëmijë dhe tre gra pësuan lëndime dhe u transportuan në spitalet e zonës. Autoritetet bëjnë me dije se të gjashtë personat ndodhen në gjendje të qëndrueshme dhe se plagët e tyre nuk janë kërcënuese për jetën.

Shoferi u arrestua, dyshohet se ishte nën efektin e alkoolit

Drejtuesi i automjetit është arrestuar dhe, sipas raportimeve të mediave amerikane, përballet me akuza për shkaktim të lëndimeve trupore me automjet, rrezikim të personave të tjerë dhe drejtim të mjetit nën ndikimin e alkoolit.

Dëshmitarët kanë përshkruar skena paniku, ndërsa prindërit përpiqeshin të largonin fëmijët nga vendi i ngjarjes. Zhurma e fortë e përplasjes ishte aq e madhe, sa disa prej të pranishmëve fillimisht menduan se kishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri.

Megjithatë, autoritetet nuk kanë gjetur prova se shoferi është përpjekur qëllimisht të përplaset me turmën. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb