Presidenti Bajram Begaj do të zhvillojë këtë të premte konsultimet me përfaqësuesit e partive politike për përcaktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027, në një proces që nis me refuzimin e ftesës nga pjesa më e madhe e opozitës.
Takimi i parë është parashikuar në orën 09:00 me përfaqësuesit e Partisë Socialiste, ndërsa në orën 11:00 në Presidencë do të mbërrijnë përfaqësuesit e Partisë Social-Demokrate, të drejtuar nga Tom Doshi.
Ndërkohë, Partia Demokratike, Partia e Lirisë, Partia Mundësia, Lëvizja Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë kanë bërë të ditur se nuk do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së kreut të shtetit. Theksojmë se ky bojkot nuk vjen si një vendim i përbashkët por është një qëndrim paralel i secilës palë.
Begaj ka thirrur partitë parlamentare në konsultime përpara dekretimit të datës së zgjedhjeve lokale, të cilat do të zhvillohen në pranverën e vitit 2027.
Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet duhet të mbahen në një ditë të diel, brenda periudhës 15 prill-15 maj 2027. Afati i fundit për shpalljen e datës është 6 nëntori.













