Nën presionin e Trump, Ukraina ndalon përkohësisht sulmet ndaj rafinerive ruse Një infermier 35-vjeçar është arrestuar në Verona të Italisë, nën dyshimin se ka vrarë bashkëshorten e tij, duke i injektuar insulinë. Sipas rindërtimit të ngjarjes nga hetuesit, Nadir Rossi, i cili ishte infermier ashtu si edhe gruaja e tij, dyshohet se i ka dhënë insulinë fillimisht në banesë dhe më pas në spitalin ku ajo ishte shtruar, duke i shkaktuar një krizë të rëndë hipoglicemie.
Mediat italiane shkruajnë se, për shkak të administrimit intravenoz të hormonit, pa një qëllim terapeutik, 32-vjeçarja Jessica Dalla Chiara humbi jetën. Ngjarja daton më 24 qershor 2024. Ndërkohë pas vdekjes së bashkëshortes, 35-vjeçari përfitoi edhe dëmshpërblimin nga sigurimi i jetës, pasi Jessica kishte lidhur një kontratë sigurimi vetëm dy vjet më parë.
Pas vdekjes së 32-vjeçares, Nadir Rossi ishte shfaqur i dëshpëruar. Ai kishte treguar se gruaja e tij e dinte se situata mund të përfundonte në mënyrë tragjike, duke iu referuar herës së fundit kur ajo ishte nxjerrë nga spitali, pasi kishte kaluar një krizë hipoglicemie.
“Ajo më tha: ‘Ja, i kam shkruar kujtimet e mia’. Mendova se po bënte shaka, por nuk ishte kështu… Në vendin e parë të dëshirave që më la gruaja ime është vajza jonë, Aurora. Jessica më porositi të jetoja për të, frytin e dashurisë sonë, dhe kjo është ajo që do të bëj tani e tutje. Në këtë moment shkatërrues, kjo po më jep forcën të vazhdoj përpara pa të, dashurinë time të vetme dhe të madhe”, ishte shprehur ai. Sot, pas arrestimit të tij, gati dy vjet pas ngjarjes, këto fjalë marrin një tjetër kuptim.
Sipas mediave italiane, Nadir Rossi ishte punonjës i kompleksit spitalor-universitar të Veronës, nga i cili u pushua nga puna vitin e kaluar. Sipas informacioneve të bëra publike, vendimi nuk lidhej me hetimet për vrasjen, por me një procedurë të brendshme disiplinore. Ai nuk e kundërshtoi vendimin përpara Gjykatës së Punës.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Policisë së Veronës, në nëntor të vitit 2025, Rossi kishte tentuar vetëvrasjen në dhomën e zhveshjes së burrave, pranë urgjencës së spitalit Borgo Roma. Infermierit dyshohet se i kishte marrë nga kasaforta e repartit, për të cilën ishte përgjegjës, pesë ampula të një medikamenti me bazë fentanili dhe dhjetë ampula morfine. Kolegët e tij e gjetën më pas pa ndjenja, me një kanulë intravenoze të vendosur në krah.
Përveç akuzës për vrasje, Nadir Rossi akuzohet edhe për tentativë të rënduar vrasjeje, shkatërrim dhe zhdukje të kufomës përmes kremimit të kryer në mënyrë mashtruese, mashtrim me sigurimet dhe përvetësim të vazhdueshëm të barnave.
Hetimi nisi pas dy sinjalizimeve. I pari u bë në korrik të vitit 2024 nga vetë kompleksi spitalor-universitar i Veronës. Pas autopsisë së 32-vjeçares, mjekët konstatuan se episodet e shumta të hipoglicemisë që ajo kishte përjetuar nuk mund të shpjegoheshin me shkaqe natyrore, por dyshohej se ishin shkaktuar nga administrimi i insulinës nga jashtë, pa qëllim terapeutik.
Hetimet morën një shtysë të dytë nga deklaratat e prindërve të viktimës, të cilët që në fillim kishin shprehur dyshime të forta dhe të bazuara për shkaqet e vërteta të vdekjes së vajzës së tyre. Ata kishin vënë në pikëpyetje edhe mënyrën e nxituar se si dhëndri i tyre kishte trajtuar trupin e viktimës, pasi ai kishte vendosur ta kremtonte menjëherë pas vdekjes. Ndër provat që çuan në kërkesën për arrestimin e 35-vjeçarit janë edhe kërkimet e dyshimta të kryera në internet për hipogliceminë, përdorimin e insulinës dhe mbidozën e saj.
Nga historiku i kërkimeve në telefonin e të dyshuarit, hetuesit zbuluan se ai kishte kërkuar informacione të posaçme për simptomat e hipoglicemisë së rëndë, diagnostikimin diferencial të hiperinsulinizmit dhe metodat toksikologjike mjekoligjore për zbulimin e mbidozës së insulinës.
Sipas hetuesve, këto kërkime kishin nisur që në prill të vitit 2024, pra disa javë përpara se bashkëshortja e tij të shfaqte problemet shëndetësore. Ky element konsiderohet nga hetuesit si një tjetër tregues që mund të mbështesë hipotezën e paramendimit të krimit. Megjithatë, akuzat ndaj 35-vjeçarit mbeten objekt i procedurave gjyqësore. Hetimet po përpiqen të zbardhin të gjitha rrethanat e ngjarjes, ndërsa përgjegjësia penale e të dyshuarit do të përcaktohet nga drejtësia
Top Channel