Udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, deklaroi të enjten se vendi po shkon drejt zhvillimit të zgjedhjeve presidenciale në vitin 2027, sipas një kalendari të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Ky ishte reagimi i saj i parë publik pas rikthimit në Venezuelë, pas 10 muajsh në mërgim, përcjell DW.
Duke e cilësuar kalimin drejt demokracisë si “të pakthyeshëm”, Machado tha se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka paraqitur një plan me disa hapa për realizimin e tranzicionit demokratik, ku përfshihen edhe zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.
“Data e zgjedhjeve është data e çlirimit”, deklaroi Machado në Karakas, pas kthimit në vend.
Ajo theksoi se prioritetet e saj mbeten çmontimi i sistemit represiv në Venezuelë dhe lirimi i mijëra të burgosurve politikë. Machado mohoi gjithashtu të ketë pasur kontakte me presidenten e përkohshme, Delcy Rodriguez.
Pak para deklaratave të saj, Rodriguez njoftoi se në Venezuelë “do të ketë zgjedhje”, por pa përcaktuar një datë konkrete.
Gjatë prononcimit, Machado falënderoi presidentin amerikan Donald Trump për veprimet e 3 janarit, të cilat, sipas saj, hapën “portat drejt lirisë” në Venezuelë. Ajo iu referua kapjes nga SHBA-ja të ish-presidentit Nicolas Maduro, i cili përballet me akuza për trafik droge dhe torturë, të cilat i mohon.
Megjithatë, udhëheqësja e opozitës kritikoi marrëveshjen e rëndësishme të naftës mes Uashingtonit dhe Karakasit, sipas së cilës Venezuela pritet t’i furnizojë Shtetet e Bashkuara me 20% të rezervave të saj të naftës.
“Kjo marrëveshje nuk pasqyron nivelet e transparencës që dëshiron shoqëria venezueliane”, u shpreh ajo.
Machado u ndalua të kandidonte në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 dhe mbështeti kandidatin e opozitës, Edmundo Gonzalez. Mbështetësit e këtij të fundit pretenduan se ai kishte fituar me një diferencë të madhe, megjithëse autoritetet zgjedhore shpallën fitues Maduro-n.