Sulm kibernetik ndaj Binance, zhduken 6.3 miliardë dollarë, dyshime për përfshirjen e hakerëve të Koresë së Veriut
Binance, bursa më e madhe e kriptomonedhave në botë, raportohet se është prekur nga një sulm i madh kibernetik, me një vlerë prej rreth 6.3 miliardë dollarësh (4.7 miliardë paund). Sipas informacioneve të bëra publike deri më tani, rreth gjysma e aseteve të përfshira në incident janë ngrirë, ndërsa pjesa tjetër dyshohet se vijon të jetë në duart e hakerëve.
Ngjarja ka ngritur shqetësime të mëdha në tregun e kriptomonedhave, ndërsa dy kompani të specializuara në analizën e transaksioneve digjitale kanë ngritur dyshime për përfshirjen e një grupi hakerësh të lidhur me Korenë e Veriut.
Firma e inteligjencës së blockchain-it, TRM Labs, deklaron se disa elemente të sulmit ndaj Binance ngjajnë me incidente të mëparshme kibernetike që u janë atribuar grupeve të hakerimit nga Koreja e Veriut. Mes tyre përmendet edhe sulmi ndaj platformës Bybit vitin e kaluar, ku u vodhën rreth 1.5 miliardë dollarë në kriptomonedha.
Sipas analistëve, sulmi i fundit mund të jetë një prej më të mëdhenjve të regjistruar ndonjëherë në historinë e kriptomonedhave, si për nga përmasat financiare, ashtu edhe për ndikimin e mundshëm në sigurinë e platformave digjitale. Megjithatë, deri më tani asnjë grup hakerësh nuk ka marrë publikisht përgjegjësinë për incidentin. Nga ana tjetër, Binance nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve mbi lidhjet e mundshme të sulmit me Korenë e Veriut. Në një deklaratë për këtë çështje, kompania bëri të ditur se po bashkëpunon me autoritetet përkatëse për identifikimin e autorëve.
“Ne po punojmë ngushtë me partnerët tanë të zbatimit të ligjit për të konfirmuar identitetin e këtyre kriminelëve dhe për t’i sjellë ata para drejtësisë”, deklaroi Binance.
Hetimet pritet të përcaktojnë mënyrën se si u realizua sulmi, identitetin e autorëve dhe nëse asetet e mbetura në duart e hakerëve mund të rikuperohen.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



