FIFA U-15 World Cup-Festival/ Shqipëria mbyll turneun në vend të 17-të, fiton edhe ndaj Perusë

Kombëtarja | 1 minutë më parë

Kombëtarja shqiptare U-15 e ka mbyllur me një tjetër rezultat pozitiv eksperiencën në FIFA U-15 World Cup & Festival 2026, që u zhvillua në Baku të Azerbajxhanit. Kuqezinjtë siguruan fitoren edhe në ndeshjen e fundit të turneut, duke triumfuar ndaj Perusë pas ekzekutimit të penalltive dhe duke e përfunduar këtë aventurë ndërkombëtare në vendin e 17-të.

Koha e rregullt e përballjes me Perunë përfundoi në barazim 2-2, ndërsa në serinë e penalltive skuadra e drejtuar nga trajneri Armand Dama u tregua më e saktë, duke fituar me rezultatin 6-5.

Kështu, Shqipëria U-15 e mbyll turneun me një bilanc pozitiv në fazën e dytë, ku pas përballjes me Egjiptin regjistroi fitore ndaj Algjerisë (4-1), Australisë (2-1), Bosnje-Hercegovinës (4-3) dhe Perusë, duke konfirmuar formën e mirë të treguar gjatë ditëve të fundit të kompeticionit.

Renditja në vendin e 17-të merr një vlerë të veçantë duke pasur parasysh përmasat e këtij aktiviteti. Në edicionin e parë të FIFA U-15 World Cup & Festival morën pjesë 189 ekipe kombëtare nga federatat anëtare të FIFA-s, duke e bërë këtë turne një prej aktiviteteve më të mëdha të organizuara ndonjëherë nga institucioni më i lartë i futbollit botëror.

Për Kombëtaren shqiptare U-15 dhe stafin teknik, ky turne përfaqëson një eksperiencë të rëndësishme ndërkombëtare, me përballje ndaj ekipeve nga kontinente dhe shkolla të ndryshme futbolli. Një tjetër hap në procesin e zhvillimit të talenteve të rinj dhe në krijimin e mundësive për futbollistët e së ardhmes së Shqipërisë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme