Konsultimet në Presidencë për zgjedhjet lokale, Taulant Balla: Ne jemi gati për çdo datë përveç 2 Majit Juventusi po kalon një periudhë të vështirë, por për momentin drejtuesit e klubit kanë vendosur të vazhdojnë bashkëpunimin me trajnerin Luciano Spalletti.
Bardhezinjtë kanë zgjedhur t’i japin besim teknikut italian, ndonëse e ardhmja e tij do të varet edhe nga rezultatet e ndeshjeve të ardhshme.
Pushimi i muajit nëntor mbetet një moment vendimtar, ndërsa në prapaskenë është përmendur edhe emri i Antonio Contes si një alternativë e mundshme për stolin e Juventusit.
Në këtë situatë, drejtuesit kanë kërkuar një reagim të menjëhershëm nga skuadra. Gjatë ditës së djeshme, Carnevali ka zhvilluar një takim me lojtarët në qendrën stërvitore Continassa, përpara vendimit për t’i grumbulluar ata në një kamp stërvitor deri në ndeshjen kundër Napolit.
Megjithatë, duket se problemet e Juventusit nuk lidhen vetëm me rezultatet. Sipas raportimeve të gazetës “La Stampa”, brenda grupit kanë nisur të shfaqen shqetësime për metodat e punës së Spallettit.
Kritikat e disa lojtarëve përmblidhen në një shprehje: “Shumë fjalë dhe pak stërvitje e vërtetë”. Sipas këtyre pakënaqësive, trajneri shpenzon shumë kohë me shpjegime teorike, ndërsa seancat stërvitore nuk kanë intensitetin e nevojshëm.
Një nga aspektet më të diskutuara është përgatitja fizike e skuadrës, veçanërisht pas humbjeve ndaj Lazios dhe Genoas, ku Juventusi ka shfaqur vështirësi edhe në këtë drejtim.
Edhe “Tuttosport” raporton për shqetësime brenda dhomës së zhveshjes. Sipas gazetës, disa futbollistë mendojnë se nuk janë në gjendjen fizike optimale. Madje, raportohet se dhoma e masazhit është vazhdimisht e mbushur me lojtarë, ndërsa palestra nuk frekuentohet me të njëjtin intensitet.
Këto shqetësime duket se kanë shtyrë edhe stafin mjekësor të shtojë vëmendjen ndaj gjendjes fizike të futbollistëve. Gjatë kontrolleve të përditshme të së mërkurës, një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe peshimit të lojtarëve, për të monitoruar nga afër parametrat e tyre fizikë.
Megjithatë, sipas raportimeve, të gjithë futbollistët rezultuan në gjendje të mirë gjatë kontrolleve dhe i kaluan me sukses testet.
Top Channel