Projektbuxheti 2027/ Rama thërret në takim ministrat dhe drejtuesit politikë të PS-së

Këtë të premte, kryeministri Edi Rama, do të zhvillojë një mbledhje me ministrat e qeverisë dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në qarqe. Takimi pritet të nisë në orën 09:30.

Mbledhja zhvillohet në një periudhë të ngarkuar nga pikëpamja politike, pas protestave të zhvilluara ditët e fundit në Tiranë. Në diskutimet institucionale pritet të jetë edhe projektbuxheti për vitin 2027, së bashku me paketën fiskale.

Të lidhura

None found

Në orën 10:00, pra vetëm 30 minuta pas fillimit të mbledhjes së kryeministrit, Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat do të nisë prezantimin e projektligjit për Buxhetin 2027 dhe të ndryshimeve të propozuara në legjislacionin fiskal.

Ndërhyrjet e parashikuara prekin ligjet për akcizat, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), taksat kombëtare, tatimin mbi të ardhurat dhe procedurat tatimore.

Ndër ndryshimet e bëra publike nga Rama në paketën fiskale 2027 është ulja e TVSH-së për produktet bazë ushqimore, nga 20% në 6%. Sipas kryeministrit, kjo masë do t’u shtojë familjeve 150 milionë euro në vit.

Paralelisht, norma standarde e TVSH-së për mallrat dhe shërbimet që nuk përfshihen në shportën bazë pritet të rritet nga 20% në 21%.

Paketa parashikon edhe dyfishimin e tatimit mbi dividendin, nga 8% në 15%. Rama ka deklaruar se tatimi mbi fitimin e sipërmarrjes do të vijojë të jetë 15%.

Rregulla të reja janë propozuar edhe për tatimin mbi pagat. Kufiri i sipërm i fashës me normë 13% do të zhvendoset nga 200 mijë në 300 mijë lekë, një ndryshim që, sipas Ramës, prek rreth 32 mijë tatimpagues. Në të njëjtën kohë, do të krijohet një fashë e re prej 30% për pagat që kalojnë 700 mijë lekë në muaj.

Për bizneset e vogla propozohet përgjysmimi i pragut të xhiros vjetore për përfshirjen në skemën e TVSH-së, nga 10 milionë në 5 milionë lekë.

Ndërsa në sektorin e hotelerisë, TVSH-ja për shërbimet e akomodimit parashikohet të shkojë nga 6% në 10%, me përjashtim të agroturizmit.

Projektbuxheti dhe paketa fiskale do t’i nënshtrohen shqyrtimit në Kuvend, i cili do të vendosë edhe për përmbajtjen përfundimtare të ndryshimeve.


Quantcast