Begaj nis konsultimet me partitë për zgjedhjet vendore 2027, opozita refuzon ftesën
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zhvilluar sot një takim me kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në kuadër të konsultimeve për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Në orën 11:00, Begaj pritet të presë në takim edhe përfaqësues të Partisë Social-Demokrate, të drejtuar nga Tom Doshi.
Ndërkohë, Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë kanë refuzuar ftesën e Presidentit për konsultime. PD e ka cilësuar procesin si një farsë, ndërsa sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka argumentuar se konsultimet janë të papërshtatshme në kushtet e situatës politike dhe protestave në vend.
Në letrën drejtuar Begajt, Blushi kërkon që Presidenti të përmbushë detyrimin kushtetues për caktimin e datës së zgjedhjeve, pa e kthyer procesin në një konsultim formal.
Sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor, data e zgjedhjeve duhet të jetë një e dielë mes 15 prillit dhe 15 majit 2027. Presidenti duhet ta shpallë atë jo më vonë se 6 nëntori 2026.
Deri më tani, 9 maji 2027 shihet si një nga datat e mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve, ndërsa 2 maji përjashtohet për shkak se përkon me Pashkët Ortodokse.




