Kaos në kufirin mes Meksikës dhe SHBA-së pas arrestimit të një drejtuesi të lartë të kartelit të drogës

Kaos në kufirin mes Meksikës dhe SHBA-së pas arrestimit të një drejtuesi të lartë të kartelit të drogës

09:01, 30/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Barrikada me automjete në flakë, rrugë të bllokuara dhe skena paniku u regjistruan të enjten në Matamoros të Meksikës verilindore, në kufi me Shtetet e Bashkuara, pas arrestimit të Aksel Kardenas, i cili dyshohet se është figura e dytë në hierarkinë e një prej organizatave që përbëjnë të famshmin Kartel i Gjirit.

Operacioni i ushtrisë meksikane shkaktoi trazira në qytet, ndërsa autoritetet lokale pezulluan mësimin në shkolla dhe u bënë thirrje banorëve të kërkonin strehim në vende të sigurta.

Arrestimi u krye në Matamoros, në shtetin Tamaulipas, përballë Teksasit, siç njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Meksikës.

Menjëherë pas kësaj, në disa zona të qytetit u shfaqën barrikada me automjete në flakë, një taktikë që organizatat kriminale në vend përdorin shpesh si reagim ndaj arrestimit të drejtuesve të tyre.

Anëtarët e karteleve vjedhin automjete, u vënë flakën dhe i braktisin në akset kryesore rrugore, në përpjekje për të penguar lëvizjet e forcave të sigurisë.

Gazetarët e Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP), të cilët ndodheshin në Matamoros, dokumentuan rrugë të bllokuara dhe prindër që nxitonin të tmerruar drejt shkollave për të marrë fëmijët e tyre.

Situata shkaktoi trazira në jetën e përditshme të qytetit, ndërsa autoritetet lokale vendosën pezullimin e mësimit për arsye sigurie.

Kryebashkiaku i Matamorosit, Alberto Granados, u bëri thirrje banorëve të qëndronin në vende të sigurta dhe të shmangnin lëvizjet në zonat ku ishin ngritur barrikada.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Meksikës, Aksel Kardenas konsiderohet figura e dytë më e rëndësishme e një fraksioni të Kartelit të Gjirit, një prej organizatave kriminale që merren me trafikun e drogës nga Meksika drejt SHBA-së.

Autoritetet e lidhin atë me vrasje, rrëmbime dhe trafik droge përmes kufirit mes dy vendeve.

Gjithashtu, ai akuzohet se kishte përgjegjësinë për një sulm ndaj agjentëve federalë në majin e kaluar, gjatë të cilit humbi jetën një person.

Nuk është hera e parë që ai arrestohet nga autoritetet meksikane. Në vitin 2023, ai ishte arrestuar nga ushtria, por më pas ishte liruar në pritje të gjykimit, sipas prokurorisë.

Karteli i Gjirit renditet ndër organizatat kriminale të Amerikës Latine që janë shpallur organizata terroriste nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.

Aktiviteti i tij lidhet me trafikun e drogës, dhunën dhe rivalitetin për kontrollin e territoreve pranë kufirit mes SHBA-së dhe Meksikës.

Matamoros, për shkak të pozicionit të tij gjeografik përballë Teksasit, përbën një pikë të rëndësishme për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave mes dy vendeve.

Arrestimi i Kardenasit dhe incidentet që pasuan nxjerrin në pah vështirësitë me të cilat përballen autoritetet meksikane gjatë operacioneve kundër karteleve, pasi arrestimi i figurave drejtuese shoqërohet shpesh me reagime të dhunshme.



 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco